Gjyqtarët/ Vettingu si “prova e zjarrit”, stok dosjesh pa u gjykuar

Veprimi i ligjit të Vetingut ka thelluar vakancat në pallatin e drejtësisë, duke sjellë rritjen e numrit të dosjeve të pagjykuara, kryesisht në Gjykatë e Lartë dhe gjykatat e apelit. Në 37 gjykata që operojnë në Shqipëri, numri i çështjeve të mbartura deri në fillim të vitit 2019, është 75 803. Numrin rekord të dosjeve të akumuluara ndër vite e mban Gjykata e Lartë me 28 863 çështje gjithsej deri në fund të vitit 2019. Ky numër pritet të rritet me shpejtës, pasi veprimi i ligjit të Vetingut ka pamundësuar funksionimin e Gjykatës së Lartë. Nga të gjithë anëtarët e kësaj gjykate, vetëm anëtari Ardian Dvorani i ka shpëtuar filtrit të trefishtë të Vetingut.

Shkallën e parë e ka kaluar edhe kryetari Xhezair Zaganjori, por fati i tij do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në javët në vijim, pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi shkarkimin e tij nga detyra, me arsyetimin se ka shkelur ligjin. Të gjithë anëtarët e tjetër të kësaj gjykate, të emëruar nga Partia Demokratike si njerëz besnikë të saj, ose janë vetëlarguar nga frika e Vetingut ose janë shkarkuar nga detyra nga Vetingu. Madje, dy anëtarë të saj, Majlinda Andrea dhe Admir Thanza janë dënuar nga gjykata për korrupsion dhe për mos deklarimin në formularët e dekriminalizimit të një dënimi që Thanza ka marrë në vitin 1999 në Itali.

Të dhënat për çështjet e mbartura nga gjykatat në të gjithë vendin deri në fund të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019, reflektohen në një raport që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dorëzuar në Kuvend për veprimtarinë gjatë vitit 2018. “Në total, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 147 423 çështje dhe 68 982 janë mbartur nga 2017. Ndërkohe në fundin e vitit 2018, numri i çështjeve të mbartura është 75 803. Nga të dhënat konstatohet që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ajo Vlorë dhe Shkodër, për sa i përket gjykatave të shkallës së parë, kanë fluksin më të madh të çështjeve. Nga gjykatat e apelit fluksin kryesor të regjistrimit të çështjeve e ka Gjykata e Apelit Tiranë dhe ajo Vlorë.



 

Ndërsa për sa i përket gjykatave administrative, vihet re që numri me i madh i çështjeve është riregjistruar sërish në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe atë të Apelit Administrativ. Krahasimi mes numrit të çështjeve të mbartura nga viti 2017 në vitin 2018 (68 982) dhe nga viti 2018 në vitin 2019 (75 803) tregon, pavarësisht faktorëve që ndikojnë, që efiçenca e gjyqësorit në vitin e fundit (2018) pasqyron përkeqësim (raporti i evadimit të çështjeve ehte në rendin e 91 % ) sepse është rritur backlog-u në shkallë vendi, rrjedhimisht edhe koha e nevojshme për trajtimin e çështjeve. Sigurisht si çdo vlerë statistikore, kjo shifër nuk merr në konsideratë të sqaroje apo të hulumtoje mbi arsyet. Për këto të fundit duhet një analizë cilësore për të mbështetur këto të dhëna sasiore duke vlerësuar korrelacionin përkatës, si dhe duke shqyrtuar nëse mund të merren masa që të shuajnë apo pakësojnë faktorët ndikues”, thuhet në raport.

Në raport përmenden edhe shkaqe të tjera që kanë sjellë fluksin e dosjeve të pagjykuara. “Një nga të dhënat me evidente gjatë krahasimit të të dhënave statistikore është ngarkesa e ndryshme e çështjeve në gjykata të ndryshme të vendit. Ky tregues që duhet marrë parasysh jo vetëm në kuadrin e kësaj analize vjetore, por edhe në vijim të rishikimit të hartës gjyqësore. Ndryshimet në nivelin e ngarkesës së çështjeve vjen jo vetëm si rrjedhojë e numrit të popullsisë nën juridiksionin territorial të secilës gjykatë, por edhe në varësi të elementeve të tjerë si p.sh ekzistenca e institucioneve të ekzekutimit të veprave penale të cilat sjellin një numër të shtuar kërkesash nga ana e të dënuarve.

 

Në rivlerësimin territorial të gjykatave duhet mbajtur parasysh raporti i popullsisë së rrethit që mbulon gjykata, numri i çështjeve të regjistruara, numri i gjyqtarëve të gjykatës, volumit të arsyeshëm të punës që të mos ndikohet cilësia e gjykimit, shpejtësia e gjykimit për të dalë në një raport të përshtatshëm i cili do të ndikojë detyrimisht në efiçencën e gjykatës respektive dhe aksesin në drejtësi për qytetarët”, thuhet në raport.

 

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.