Një ftesë për Prokurorinë për të hetuar mashtrimin me ushqimet!

Nga Mentor KIKIA

Kam shkruar disa herë këto javët e fundit për sigurinë ushqimore. Jo për të krijuar panik, as për të “mallkuar” prodhimin vendas. Por në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve për të përmirësuar standardet. Në këtë kuadër, takova një person, punonjës i një kompanie që importon dhe shpërndan “lëndë të parë” për prodhimin e qumështit, djathit, kosit, gjalpit…

E di që do të thoni së lënda e parë për djathin dhe kosin është qumështi. Por ja që në Shqipëri djathi nuk prodhohet vetëm nga qumështi.

“Unë shpërndaj nëpër fabrika dhe baxho artikuj të ndryshëm si vaj palme, kalcium klorhidrik, acid citrik, niseshte e shumë të tjera. Këto artikuj importohen në rrugë zyrtare. Ato nuk janë të dëmshëm nëse përdoren në sasi të duhur. Por këta abuzojnë shumë dhe mashtrojnë me përbërjen e tyre. Ka baxho në Shqipëri që nuk mbledhin 1 kg qumësht, dhe prodhojnë të gjitha produktet e bulmetit. AKU i di të gjitha këto”.



Më foli për gjalpin industrial, pa asnjë pikë yndyre shtazore dhe që bazë ka vajin e palmës, ngjyrues dhe aromatikë, e që veçanërisht në dhjetor vërshon në treg, duke furnizuar edhe pastiçeritë që prodhojnë bakllavatë e Vitit të Ri.

Më tha edhe se vaji i palmës përzjehet me vajin e ullirit, pasi edhe ky është si vaji i ullirit, ngrin në të njëjtën temperaturë, duke e bërë të ngjashëm.

Më tha për sasinë e madhe të konservantëve që i hidhen kosit që të mos thartohet për javë të tëra, dhe bakllavasë që të rrojë disa muaj pa u prishur… Të gjithë këto më sipër ne i blejmë për produkte natyrore.

Faktet për mashtrimin e prodhuesve të ushqimeve, atyre të bulmetit dhe prodhuesve të mishit dhe nënprodukteve të tij, nuk kanë munguar asnjëherë. AKU mjaftohet me ndëshkimin e ndonjë prodhuesi modest me tre kazane, por asnjëherë nuk prek peshqit e mëdhenj që sundojnë tregun.

Prokuroria hesht përballë denoncimeve publike, edhe me prova të forta, siç kanë sjellë emisionet investigative televizive.

Me këtë shkrim, e theksoj, nuk kam për qëllim të shkaktoj panik, por të ngre zërin tashmë në adresë të prokurorisë për të ndërhyrë. Jemi para një mashtrimi të madh. Pasojat nuk ndjehen tani, pasi produktet e tilla ushqimore nuk janë bomba që plasin e të vrasin në moment, ato të vrasin dalëngadalë.


Comments are closed.