Integrimi dhe ndarja e Kosovës, si do të përkthehet vota në zgjedhjet e BE për Ballkanin?

Nga Ardian KASTRATI

Pavarësisht algoritmeve mbrapa mediave sociale të cilat në vitet e fundit kanë krijuar një polarizim të paparë në mes të qytetarëve gjithandej Bashkimit Europian, partitë e ekstremit të djathtë dhe ato euroskeptike nuk u votuan sipas pritshmërive në zgjedhjet në BE. Njëkohësisht, në shumë shtete të rëndësishme të BE-së partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë pësuan rënie e në disa raste edhe debakël, si për shembull Laburistët në Mbretërinë e Bashkuar me vetëm 14%.

Për herë të parë që nga 1989 Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë ra nën 25 përqind të votave kurse dhe socialistët me rreth 20 përqind patën rezultatin e tyre më të keq që nga viti 1979.

Në Mbretërinë e Bashkuar pavarësisht fitores së Nigel Farage me rreth 32% (28 ulëse), rezultatet e Liberal Demokratëve me 20%, të Gjelbërve me 12% dhe të Partisë Nacionale të Skotlandës me rreth 38% (në Skotlandë) e hodhën në erë sistemin politik të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithëse tingëllon kontradiktore, pikërisht këto rezultate treguan shpirtin evropian të votuesit britanez duke e zëvendësuar sistemin politik të dominuar nga dy partitë tradicionale me atë plural multipartiak. Sa i përket partive të ekstremit të djathtë përjashtim bëri fitorja e Le Pen në Francë dhe ‘Lega Nord’ e Matteo Salvinit me 73 ulëse si dhe Euroskeptikët e ‘Fidesz’ të Viktor Orban duke arritur 53% të votave e që është ekuivalent me 13 ulëse.

Megjithatë, te trija këto do jenë larg dominancës së kërkuar në Parlamentin Evropian. Në Austri ‘Partia e Lirisë’ (FPÖ) humbi mbështetjen pas të ashtuquajturit skandali ‘Ibiza’ , kurse në Danimarkë Partia Popullore Daneze humbi dy nga tri ulëset e saj duke përfshi edhe ulësen e Anders Primdahl Vistisen njërit nga aleatët kryesor të Salvinit. Në anën tjetër, pavarësisht narrativit anti-imigrim të së majtës ekstreme gjermane të Sahra Wagenknecht apo asaj franceze të Jean-Luc Mélenchon duke argumentuar se ardhja e emigrantëve është një komplot kapitalist që do ti ul pagat e punëtorëve, edhe e majta ekstreme pësoj rënie të ndjeshme.

Me përjashtim të rezultateve të Le Penn dhe të Salvinit, dalja e madhe e votuesve në zgjedhje përgjithësisht mund të lexohet si refuzim i populizmit dhe i establishmenteve politike nëpër shtete me peshë në EU. Mesazhi kryesor ishte që pavarësisht mosfunksionimit më të mirë EU mbijeton.

Thënë ndryshme, përmes këtyre zgjedhjeve u refuzua ideja e nacionalizimit të politikave evropiane dhe u fuqizua ideja e europianizimit të politikave nacionale. Vota e qytetarëve europian po ashtu tregoj qartë se ‘politika mbetet lokale’. Pavarësisht faktit se Marine Le Pen, Matteo Salvini si dhe Guy Verhofstadt , kanë marrë pjesë në fushatat zgjedhore edhe jashtë vendeve të tyre, votat u determinuan kryesisht nga temat lokale.

Në anën tjetër, shikuar nga aspekti ideologjik u vërejt se partitë tradicionale të frikësuara nga hungërimat populiste së paku një vit para zgjedhjeve ikën nga krahët e tyre të majtë dhe të djathtë duke kërkuar qendrën për të atraktuar votues nga të dy krahët. Kjo strategji doli të ishte e gabuar sepse krahet e tyre (elektoratin) gjatë viteve të kaluara i zunë partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë. Kështu gjatë fushatës zgjedhore duke u munduar të kompenzojnë elektoratin disa nga partitë tradicionale përdoren gjuhën e populistëve dhe devijuan nga ‘mainstream’-i i tyre politik. Këto parti edhe humbën zgjedhjet sic është rasti p.sh. me Macron vs Le Pen në Francë.

Kjo gjuhë i trembi votuesit liberal sepse këta votues nuk i shohin populizmin vetëm në kuadrin e çështjeve anti- imigrim por i shohin populistët si ata që synojnë të shkatërrojnë sigurinë që vjen nga rendi demokratik ku ka sundim të ligjit. Mirëpo edhe në rastet kur është përkufizu debati si i progresistëve kundrejt nacionalistëve, populistët prapë kanë qenë më të efektshëm sepse kanë barazuar progresivizmin me zbatimin e politikave të hapura ose anti-krishtere.

Një qasje më e mire do të ishte sikur Macron do të bënte tërë kohën pa përjashtime fushatë për betejën ekzistenciale, pra për shpirtin e Europës si demokratët kundrejt autoritarëve.

2

Megjithatë votat për listën e Presidentit Macron ishin përcaktuese që aleanca e liberalëve ‘ALDE’ të radhitet e treta me çka edhe do të ndikoj në fuqinë negociuese të EPP sidomos në rastin nëse ‘Fidesz’ i Viktor Orban vendos të lëshoj këtë grup dhe nëse ndodh Brexit me 31 Tetor. Presidenti Macron tani më jo vetëm që do te jetë ‘kingmaker’ në negocimin e pozitave kyçe në Bashkimin Europian por pikërisht nga ai do të varet shumë edhe fati i Ballkanit Perëndimor në vitet në vazhdim. Menjëherë pas zgjedhjeve Macron e bëri të qartë se ai është kundër procesit të “Spitzenkandidat ’ (kandidatit udhëheqës) e që është Max Webber nga EPP i cili e ka përkrahjen e Merkel. Pas përçarjes së BE në 2008 për njohjen apo mosnjohjen e Kosovës, pastaj përçarjes së aktorëve kryesor në EU se si të paketohet dialogu Kosovë – Serbi (Merkeli kundër korrigjimit, Macron i papërcaktuar, Mogherini për korrigjimin), atëherë kjo qarje e re në mes të Macron dhe Merkel do të reflektoj edhe më negativisht në Ballkanin Perëndimor.

Me dështimin e procesit të Berlinit dhe Samitit të BE –së në Bullgari u bë evidente se zgjerimi nuk është opsion as për qendrën e majtë e as për qendrën e djathtë në EU. Fjalisë së famshme përmes së cilës është përshkru relacioni në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ‘ se ne po bëhemi sikur po dëshirojmë zgjerimin dhe ata po bëhen sikur po bëjnë reforma’ i ka dhënë fund Presidenti Macron i cili qartë ka thënë se aktualisht nuk ka zgjerim në tavolinë. Në anën tjetër të njëjtën po e bëjnë vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor. Ata nuk po bëhen më se po bëjnë reforma, por disa po kërkojnë zgjidhje edhe përmes Samitit 16 + 1 e disa janë në kërkim të alternativave tjera. Një nga argumentet e Macron dhe bashkëmendimtarëve të tij në BE kundër zgjerimit është se kanë pasur përvoja të këqija të regresionit demokratik me ‘anëtarët e rinj’ (zgjerimi 2004 dhe 2007). Ky argument nuk mund të qëndroj sepse si mund te imagjinohet që ato shtete do të avanconin më mire standardet e tyre demokratike duke pritur aq gjatë jashtë BE-së. Argumenti tjetër është se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë performuar dobët me reformat demokratike. Kjo qëndron por edhe retorikat nacionaliste, korrupsioni masiv, ekonomi të shkatërruara, sisteme gjyqësore të kontrolluara nga politika nuk janë eksluzivisht prodhime vendore pasi që vet BE i ka përkrahur ‘stabilokratët’ e Ballkanit për 20 vite me radhë në rrugëtimin e tyre deri këtu.

Të udhëhequr nga dyshimet e tyre për zgjerimin Macron dhe Merkel me pajtim të shteteve anëtare të BE- së e shtyhen publikimin e vendimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse iu friguan rezultateve të zgjedhjeve. Parë në dritën e rezultateve të zgjedhjeve po që se ato do të ishin në favor të së djathtës ekstreme dhe të euroskeptikëve, atëherë ka gjasa që vendimi i Komisionit do të shtyhej prapë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.