Unaza e Re/ Erion Veliaj ndryshon projektin abuziv të Damian Gjiknurit (FOTO)

Mungesë ndriçimi, trotuaresh, pemë të shkulura dhe blloqe betoni të vendosura për të ndarë trafikun. Ky është peizazhi i sotëm i në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë, ku projekti për ndërtimin e aksit rrugor nga Pallati me Shigjeta deri te sheshi “Shqiponja” është pezulluar, pasi do të ritenderohet Loti 1.

Kjo pjesë e rrugës që përfshin sheshin “Shqiponja” deri pranë zonës së Astirit ishte e njëjta, e cila shkundi fort një karrige ministri të qeverisë së Edi Ramës, me Damian Gjiknurin, i cili pas zbulimit të skandalit me kompaninë “DH Albania” u përfshi në listën e të shkarkuarve të 28 dhjetorit 2018.

Pikërisht, “DH Albania” u kthye në një çështje problematike që solli edhe pezullimin e punimeve, pasi u zbulua në media se kompania kishte falsifikuar disa nga të dhënat për aktivitetin e saj dhe për datën e themelimit, madje edhe vulën e një prej shteteve pjesë të SHBA.

Kompania në fjalë, me bekimin e ministrit të Infrastrukturës së asokohe Damian Gjuknuri dhe administratës shqiptare mori licencën e ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Por kulmi i skandalit, ishte fakti se “DH Albania”, e përzgjedhur nga ARRSH që drejtohej nga i besuari i Damian Gjiknurit, Afrim Qendro dhe vetë Ministria e Infrastrukturës kishte fituar 30 milionë Euro në dy tendera, madje 18 milionë euro vetëm për 1 kilometër rrugë.

Si do të dukej sheshi “Shqiponja” me projektin e Damian Gjiknurit

E teksa hijet e dyshimit që vishnin projektin abuziv të Damian Gjiknurit detyruan Autoritetin Rrugor Shqiptar ta ndryshonin projektin, Bashkia e Tiranës dhe ministrja e re e Infrastrukturës Belinda Balluku na kanë treguar sot se di do të duket nënkalimi i transformuar i sheshit “Shqiponja”.

Duke qenë se kjo do të jetë një nga nyjet më nevralgjike të Tiranës  në 10 vitet e fundit, me projektin e ri do t’u jepet më shumë prioritet bizneseve, tregtisë por edhe qytetarëve në këtë zonë.

Projekti i ri i sheshit “Shqiponja”, sipas Erion Veliajt vjen në formën e një nënkalimi me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, dhe i jep një rëndësi të veçantë gjelbërimit.

Teksa në projektin e Damian Gjiknurit ishte parashikuar një nënkalim me dy kate, në fotot e publikuara nga Veliaj shihet se nga një zgjidhje në lartësi, kemi kaluar në një zgjidhje në thellësi.

Si duket sheshi “Shqiponja” me projektin e ri të prezantuar nga Erion Veliaj

“Kur infrastrukturat masive, pra autostradat, përshkojnë zona urbane, si ato që kemi parë në kryeqytete ose qytete të mëdha të Europës, kemi parasysh këtu rastin e Brukselit apo Milanos, zgjidhja ka qenë në thellësi. Pra, në vend që të kemi kate, që pengojnë pamjen e hyrjes së qytetit me infrastrukturë masive të betonizuar në lartësi, këto i çojmë në thellësi. Propozimi kryesor fillestar ka të bëjë me kalimin në kate nëntokësore, që nuk ndërpresin qarkullimin”, shpjegoi Veliaj.

Por, jo vetëm kaq, pasi autostrada që na prezantoi sot kryebashkiaku i Tiranës, nuk krijon një  urë artificiale midis Njësisë 7 dhe zonës së Astirit, Kasharit apo Yzberishtit, por është projektuar në kalimin në nivel zero.

Kjo i shkon për shtat këmbësorëve, bizneseve dhe atyre që duan të shfrytëzojnë hapësirat e trotuareve apo mini-shesheve që do të krijohen kështu në çdo kryqëzim.









Comments are closed.