Prej Presheve deri në Prevezë

Nga Fadil LEPAJA

Fadil LepajaPresidenti serb Vuçiç, është një aktor i përkryer. Mikut, por edhe armikut, duhet dhënë haku. Duhet njohur meritat apo duhet dërguar llogarinë. As ky i yni, Presidenti i Kosovës, nuk është se nuk ja thotë fare aktrimit. Luajnë në një shfaqje, të përbashkët, atë të ndryshimit të kufijve, me çdo kusht.

Presidenti Vuçiç thotë, se “Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë shtet, dhe se kosovarët synojnë bashkim me Shqipërinë dhe se duan të sjellin kufirin e Shqipërisë në … Jarinje”. Ndërsa, presidenti ynë, natyrisht se nuk pajtohet me këtë.

Ai kësaj radhe nuk merret fare me kufijtë. Nuk përmend as korigjim, as ndryshim, as demarkacion, madje. Nuk do të ketë kufij fare. Nuk do të ketë kufij prej Presheve deri në Prevezë Ai, thotë, se duhet shpallur bashkimi i Kosovës, Shqipërisë dhe Luginës. Nuk deshët korigjim të kufijve? Do ta keni Shqipërinë madhe, apo quajeni si të doni. Kush tjetër e bënë bashkimin kombëtar?Me kë?



Sido që të jetë presidenti Vuçiç e nisi ushtrinë drejt kufijve ekzistues, të Kosovës, ndërkohë që presidenti Thaçi thërret kuvendet e dy shteteve të shpallin bashkimin. Kuvendet e Kosovës dhe të Shqipërisë, më saktë, për të mos patur keqkuptim.

Kur, vihen në pyetje kufijtë shtetror, lëvizja e armatës është legale, dhe pasi nuk e besoi askush për planet e kosovarëve për “pastrim etnik” të veriut të Kosovës, presidentit serb i duhej edhe një pretekst rezervë. A di kush se çfarë po ndodhë?

Edhe pse gjithçka ishte e paralajmëruar, dhe lëvizjet në shahun ballkanik, po tërhiqen me gjakëftohtësi shqetësuese, askush nuk e thotë drejtpërdrejtë se për çfarë bëhet fjalë. Ndërtohen vetëm skema dhe pretekste.

Sidoqoftë, kur jemi te aktrimi, dhe rolet, presidenti ynë para qytetarëve të vet, nuk e luan dot rolin e unifikuesit, ashtu si e obligon kushtetuta. Është i njohur gjerësisht si përqarës. Në ndonjë jetë të kaluar do të ketë qenë romak. “Divide et Impera”.

Ndoshta e ka thënë ai i pari, thënien e famshme, dhe autorsia do të ketë humbur nëpër shekuj dhe hapësirat e pamasë të perandorisë romake. Pasi asokohe nuk kishte statuse në rrjetet sociale, ky thjesht duhet ta ketë llafosur me miqtë e vet, këshilltarët, dhe ata pastaj e kanë përhapur thënien gjerësisht në gjithë imperinë.

Kështu u harrua gjithësesi autori. Këshilltarët, atë punë kanë, të duken ata të mençurit, edhe pse kanë ndërruar rolet dhe sot një politikan i mençur i këshillon këshilltarët e vet, se çfarë të flasin te Batoni, Berati apo ndonjë debatues tjetër emri i të cilit fillon me B. Për shembull Adriatiku. Nejse….

Pra, sundo, me çdo kusht, qoftë sundim real, qoftë medial, duke frikësuar apo joshur në momentet vendimtare, këdo që nuk është për atë punë. Ky është modeli. Kur dështon, e shpallë suksesin. U munduam por nuk na përkrahën. Do të kishit ftuar ju Isain në një mision të përbashkët, të (pa)mundur, për bashkim kombëtarë?

E fton, pra, Isain, të ngritur nga shtrati, sikur Gjergj Elez Alia, me aq plagë në trup, për kauzën e bashkimit kombëtarë, ndërsa Albinin vital dhe të gatshëm për gjithçka vetëm për të bërë një Shqipërinë, nuk e fton. Albini, në fakt, është identifikuar së tepërmi me këtë mision, madje edhe partinë e ka zgjeruar në vendet fqinje.

Por, presidenti angazhohet për atë që nuk bëhet. Edhe nëse e bëjnë të tjerët, bashkimin, ai do të insistonte që së paku të e shpallë atë, duke e lexuar deklaratën e bashkimit, nga ndonjë ballkon identik me atë në Vlorë. Por kjo është punë që nuk bëhet me Albinin. Ku Albini e ku Sejdiu?! Nuk e lë Albini të lexoj tjetërkush letrën e bashkimit….

Nejse, të kthehemi në fillim. Presidenti Vuçiç, luan më së miri rolin e viktimës. KFOR-it në Kosovë, i është lutur që të ndërhyjnë, gjoja për të mbrojtur qytetarët serb, nga spastrimi etnik i planifikuar, pikrisht nga njësitë speciale të Kosovës, por KFOR-i kishte deklaruar se nuk përfshihen dot në operacione policore. Nuk e pengon drejtësinë.

Prandaj nga rreziku i “gjenocidit” mbi serbët dhe mbërrijtjes së Shqipërisë në Jarinje, ishte e domosdoshme ngritja e gatishmërisë luftarake në shkallën më të lartë, duke ngritur kështu në shkallën më të lartë edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe duke detyruar edhe vendet përreth të marin masa të shtuara të kujdesit.

Pastaj, gjithçka u qetësua, dhe përshkallëzoi në protesta të paralajmëruara të qytetarëve serb në Mitrovicë. Presidenti serb i kishte të gjitha pretekstet e dëshiruara për të hyrë në Kosovë dhe për të bërë realitet planin për shkëmbim territoresh.

Por, duket se nuk e mori sinjalin. Nuk mjaftoi as thirrja e presidentit të Kosovës për bashkim, as ndërhyrja e njësive speciale në veri, “kundër popullit duarthatë serb”. Diçka dështoi me planin prej “Presheve deri në Prevezë”, i cili do të pasohej menjëherë me planin e Serbisë deri në Klladushë. As “Zyrtari” rus i UNMIK-ut nuk ishte pretekst i mjaftueshëm që Rusija, nga Nishi të lëvizte drejt kufirit të Kosovës për të mbrojtur qytetarët e vet. Jo, jo! Nuk është ashtu si po duket..!

Gazeta Shqip


Comments are closed.