Pasurohet Tirana, varfërohet Jugu e Veriu

Rezultatet për rritjen ekonomike të rajoneve kryesore në vend më 2017 tregojnë për një thellim të varfërisë në Jug, teksa Veriu ka qëndruar thuajse në vendnumëro. Rritje ekonomike ka shënuar vetëm Rajoni i qendrës dhe kryesisht Tirana.

Sipas INSTAT, në vitin 2017, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente u vlerësua 1.551.281 milionë lekë, duke shënuar një rritje në terma realë prej rreth 3,82%, krahasuar me vitin 2016.

Rritja ekonomike në Rajonin e Veriut ishte vetëm  1.72 për qind më 2017, në Rajonin e Qendrës 7.367% dhe në rajonin e Jugut ekonomia shënoi rënie me 0.19%.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2017, e ka dhënë Qarku i Tiranës me +3,42 pikë përqindje, ndjekur nga Qarku i Durrësit me + 0,40 pikë përqindje dhe Qarku i Fierit me +0,18 pikë përqindje.

Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku i Vlorës me -0,19 pikë përqindje, i ndjekur nga Qarku i Korçës me një kontribut prej -0,13 pikë përqindje dhe Qarku i Lezhë me një kontribut prej -0,03 pikë përqindje.

Sipas rajoneve statistikore në nivel 3, rritjen më të lartë e shënoi Qarku i Tiranës me  rritje në terma realë prej 8,54%, i ndjekur nga Qarku i Durrësit me një rritje në terma realë prej 4,09 % dhe Qarku i Beratit me një rritje në terma realë prej 1,92 %. Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun e Vlorës, duke shënuar një rënie në terma realë prej 3,26 % dhe në Qarkun e Korçës me një rënie në terma realë prej 2,22 %.

PBB për frymë, Tirana me rritjen më të madhe, Kukësi më të ulëtin

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel në vitin 2017, ishte në Qarkun e Tiranës, me 747 mijë lekë dhe shënoi rritje prej 8,0%, krahasuar me vitin 2016.

PBB për frymë e këtij qarku ishte 38,3 % mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku i Fierit, me 556 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,3 %, ndaj vitit 2016. PBB për frymë e këtij qarku ishte 3,0 % mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në vitin 2017, u vlerësua në qarkun Kukës me rreth 327 mijë Lekë, duke shënuar një rritje me 3,2 %, krahasuar me vitin 2016. PBB për frymë e këtij qarku ishte 39,5 % nën mesataren e vendit.

Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Elbasan me rreth 377 mijë Lekë, duke shënuar një rritje me 3,5 % ndaj vitit 2016. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,1 % nën mesataren e vendit.

Standardi i Fuqisë Blerëse PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Poëer Standard – PPS) në vitin 2017 është 26.234 PPS, ndërsa në vitin 2016 ishte 24.883 PPS. Krahasuar me vitin 2016, Produkti i Brendshëm Bruto i shprehur në PPS shënoi një rritje prej 5,64 %. PBB për frymë në PPS për vitin 2017 për Republikën e Shqipërisë është 30,4% e mesatares së Bashkimit Europian BE28 = 100 (shih shënime metodologjike). Sipas rajoneve statistikore në nivel në rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2017 ishte 37,0 %, në rajonin Veri 24,7 % dhe në rajonin Jug 27,2 %./Monitor

 









Comments are closed.