Tensione në Veri të Kosovës, arrestohen disa policë e zyrtarë serbë, ka edhe të plagosur

Një operacion i madh policor po zhvillohet në veri të Kosovës, në 4 komunat me shumicë serbe, teksa Policia e Kosovës është vënë në kërkim të të dyshuarve për vrasjen e një polici, të identifikuar si Enver Zymberi, si dhe ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Nga aksioni i cili është duke ndodhur në veri të Mitrovicës, një zyrtarë i policisë ka mbetur i plagosur i cili është duke u trajtuar në spitalin në jug të Mitrovicës.



Gjatë operacionit janë arrestuar disa zyrtarë policie dhe qytetarë. Ndërhyrja po zhvillohet nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, nën asistimin e njësive të tjera përkatëse, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndërhyrjes së mëngjesit të sotëm i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe Policisë së Kosovës, udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që ka rezultuar me dyshime të bazuara të përfshirjes së disa zyrtarëve të policisë dhe qytetarëve në vepra penale.

Ata dyshohen për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “kontrabandë mallrash”, “shpërdorim të pozitës zyrtare”, “dhënie ryshfeti”, “tregti e ndaluar” etj.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 30. Të gjithë këta dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.

Haradinaj, bën thirrje për qetësi

Kryeministri i Kosovës thotë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Haradinaj: Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.