Imazhi si emergjencë

Nga Petrit KUÇANA

Policia britanike në Londër

Edhe një eklips u shfaq në këto të turbullta për shqiptarët. Nuk është thjesht ndonjë lajm, nga ato që duket se, çuditërisht, kemi krijuar imunitet, nga  ato të thjeshtët për shqiptarët e dënuar, të kapur e të burgosur. Nga ato që, fatkeqësisht, janë kthyer gati në lajme limonatë, sesi shqiptarët (jo vetëm në Britani) shfaqen me bëmat e tyre tmerrësisht, turpërisht, të pakapërdishme.

Ishte një eklips, që duket se do të ketë një kohështrirje të gjatë, pasi kësaj here diellnxënia e shqiptarëve u bë nga një autore e qindra miliona kopjeve të shitura,  që shqiptarët i zatet në një cep të errët ku duket sikur nuk gjendet anjë dritëz,  sado laramane në “The Mister” të E.L James. E kushedi sa e sa njerëzve do u kujtohet A A Gill dhe mungesën tonë të reflektimit, sidomos pas pafundësisë së lajmeve të zeza për shqiptarët. E çfarë imazhi është për ne shqiptarët?

Atë mund ta kuptosh nga një bisedë me një taksixhist në Amsterdam, ku Holanda shënoi rastin më të paprecedentë; parlamenti kërkoi kthimin e vizave për shqiptarët. Dhe ne e kaluam me gjysëm heshtje dhe, gati-gati, e sitëm si çështje politike, por kurrësesi si reklektim të detyrueshëm që duhet të bëjmë, ne si shqiptarë, si klasë politike, si shoqëri.



Nuancat iu dhanë, bashkë me shpjegimet se nuk është ndonjë gjë e madhe dhe e zeruam brenda tre-ditëshit sa mund të zgjasë një lajm, qoftë edhe i kobshëm.

Mbase një çudi më të madhe ndjen kur taksisti në New York të flet paqtësisht për të ashtuquaajturën mafie shqiptare dhe, pavarësisht begroundit të tij, të tregon se është mjaft e rrezikshme. Befasueshëm një tregim të tillë (pra për mafien shqiptare) e dëgjon edhe në Palestinën e largët, kur së bashku me një grup turistësh amerikanë, britanikë dhe spanjollë, u gjendëm në territoret palestineze.

Për ata që kanë qenë, e dinë që brenda territorit palestinez, guida nuk mund të jetë izraelite por palestinez dhe në makinën e grupit tonë na qëlloi njëri që njihte edhe anglishten edhe spanjishten. Sapo merr vesh që je shqiptar, fjala e parë që i vjen ndërmend, e shoqëruar edhe me një buzëqeshje, mbetet pikërisht mafia shqiptare.

Edhe pse përpiqesh t’i tregosh se krimi nuk ka atdhe, se janë thjesht perceptime, se çdo kombësi ka kriminelët e tij, ai më tregon se ka jetuar  në Spanjë dhe kishte pasur edhe miq shqiptarë, pasi në Palestinë nuk dinte të kishte asnjë shqiptar të vetëm.

Për t’u rikthyer në Londër, ku duket se lajmet e kronikës së zezë nuk kanë të sosur. Janë të rralla ato ditë kur nuk marrim njoftimet nga metropolitan police për shqiptarët e përfshirë në krim dhe çdo herë na duken si kronika të një krimi të paralajmëruar.

Britania, në krahasim me Evropën, duket se vazhdon të mbetet molla e ndaluar dhe karakterizohet me një shtim të jashtëzakonshëm të numrit të të ardhurve rishtaz që, për shkak të ligjeve, mbeten në kushtet e mbijetesës.

Nuk kanë të drejtë pune, të drejtë strehimi, asnjë lloj të drejte, përjashtuar ata që janë nën 18 vjeç, të cilët detyrohen “të zhduken”, sapo i afrohen kësaj shifre mbrojtëse.

Kaq i madh është numri i shqiptarëve të ardhur, sa në zona të caktuara të Londrës, shqiptarët nën 18 vjeç, pra të pashoqëruar, zënë vendin e parë, duke kaluar edhe shtetet që janë në luftë dhe duken krejt të sinqerta pyetjet e përfaqësuesve të autoriteteve britanike se çfarë po ndodh në Shqipëri, që po vijnë kaq shumë të pashoqëruar.

Nga Ministria e Brendshme mësojmë se të paktën 802 shqiptarë janë të dënuar dhe  192 janë në pritje të dënimit.

Sipas këtyre autoriteteve, kalimi nga Franca-Belgjika-Spanja apo Holanda drejt Britanisë është diku£13.000 paund, shifër kjo që duhet të paktën dy vjet pune në të zezë për t’u shlyer.

Mjerisht, të gjendur në kushtet e mbijetesës, shumë shqiptarë, kryesisht të sapoardhur kthehen në potencal krimi dhe se qasja e tyre, se duket kjo po kthehet në normalitet. Ka një shifër tjetër të frikshme:

Gjatë vitit të kaluar janë dëbuar nga Britania 1634 shqiptarë.

A do të duket shumë naive pyetja se çfarë ndodh me këto qenie njerëzore, pasi kthehen, me gjithë atë borxh në kurriz?

A ka ndokush që i ndihmon, qoftë edhe sadopak në të ashtuquajturin riintegrim të tyre?! Dikur ka qenë një organizatë IOM që i ndihmonte, por që pas anëtarësimit të shqiptarë në NATO, ky program u ndërpre.

Sa vite pune (nëse dikush prej tyre mund të gjejë punë në Shqipëri) do u duhet për të paguar këtë borxh prej të paktën, 13 mijë paundësh?

A ka ndonjë institucion shtetëror që mund të bëjë një përllogaritje të tillë?! Apo mos ndoshta duhet shtruar pyetja ndryshe.

Sa të ekspozuar janë këta të rikthyer ndaj atyre që mezi i presin rikthehen për të punuar në “rrugën e gabuar”?

Në bisedat e shumta me avokatë, kryesisht ata të krimeve, me përkthyes apo përfaqësues të autoriteteve të këtushme britanike, gjendja mbetet shumë e nderë, tmerrësisht e vështirë për të patur një shpresë se këta shqiptarë “do të stabilizohen” si ata të mëhershmit që duhet theksuar janë qytetarët model, fantastik me arritje të jashtëzakonshme.

Krenarisht mund të thuhet që nuk ka thuajse fushë të jetës që nuk i kemi ambasadorët tanë të shkëlqyer, që nga pedagogët që lektorojnë në universitetet britanike e deri tek sipërmarrësit etj etj që padyshim bëjnë çdo shqiptar të ndjehet krenar. “The Albanian” ka publikuar mbi 100 profile të tyre dhe ky është një mision që vazhdon.

A duhet dikush të mendojë për një zgjidhje, së pari si detyrë e shtetit ndaj shtetasve të vet, ndaj këtyre që po vijnë çdo ditë, e që fatkeqësisht, në kushtet e mbijetesës, po detyrohen të kthehen në furnizues thuajse të përditshëm të kronikës së zezë. Sipas autoriteteve britanike janë me dhjetëra të rinj shqiptarë (të identifikuar) që mjerisht janë kthyer nga shpërndarës në përdorues dhe që trajtohen në klinika si përdorues droge? Duket e pamundur për t’u gjetur numri i të paidentifikuarve…

A duhet të na shqetësojë sadopak shifra prej 2600 shqiptarësh të ndaluar gjatë vitit të kaluar? A duhet që dikush duhet të merret seriozisht me këtë çështje, për të gjetur një zgjidhje, së pari për këta qytetarë shqiptarë, që po përfundojnë në burgjet britanike e deri tek imazhi i shqiptarëve nëpër botë?!

A duhet dikush nga institucionet e shtetit shqiptar të iniciojë programe bashkëpunimi me Britaninë e Madhe, ku të përfshihet punësimi sezonal në Britani?!

Të paktën të shikohet si mundësi dhe gjithkush beson se kjo iniciativë do të zeronte krimin, pasi besojmë se nëse një shqiptar do të vinte “i rregullt”, jo vetëm që do të kthehej në qytetar model si taksapagues i shtetit britanik, por ashtu si shqiptarët e tjerë “me letra të rregullta”, do të shkëlqenin si sipërmarrës.

Padyshim kjo do i shërbente shumë përmirësimit të imazhit, së bashku me turizmin. Sa britanikë vijnë në Shqipëri (pa na përfshirë ne shqiptaro-britanikëve që regjistrohemi të tillë)?

Besohet se është një numër vërtet shumë i vogël, në krahasim me potencialin që duhet të ishin, sidomos nëse krahasohen shifrat milionëshe të britanikëve në vendet fqinjë. E mbase do të duhet të kujtohemi sërish për Rinasin, aeroportin më të shtrenjtë të rajonit, ku duket se edhe për shumë kohë nuk do të mund të kalojnë linjat ajrore të lira. E për t’u kthyer tek imazhi?

A mund të kihet një “think tank” për një strategji, aq më tepër kur sondazhet flasin për përqindje katastrofike që dëshirojnë të lënë Shqipërinë.  E mbase, deri atëherë, kronikat e zeza nuk do të kenë të mbaruar dhe eklipse të tjera do të mbulojnë gjithçka në shqiptare.

Gazeta Shqip


Comments are closed.