Tirana pranë mbijetesës, fiton mes tensionit në Laç

Tirana ia doli të fitojë në transfertën e vështirë të Laçit, një fushë ku nuk fitonte që prej vitit 2016, ndërsa sot mori një 3-pikësh të artë, falë triumfit me rezultatin 1-4.

Në Laç sfida nisi me mjaft vrull dhe pas vetëm 4 minutash lojë, Jorgji vërshëlleu 11-metërsh për Tiranën. Penalltinë e ekzekutoi Cobbinah, por goditja e tij u prit mjaft bukur nga Gentian Selmani.



Megjithatë goli ishte rrotull dhe vetëm dy minuta më vonë, ishte sërish Cobbinah që shërbeu mjaft bukur për Grecën në zonë dhe ky i fundit arriti të dërgojë topin në rrjetë.

Vetëm pak minuta më vonë gaboi Hoxhallari duke shkaktuar faull në zonë, ndërsa penalltinë për Laçin e ekzekutoi Ndriçim Shtubina, por edhe Ilion Lika u tregua në lartësinë e detyrës, duke grushtuar topin.

Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e dyfishtë të Tiranës, që në minutën e 36’ shënoi me anë të mesfushorit Cobbinah, që ishte nga më të mirët në takimin e sotëm.

Laçi e nisi pjesën e dytë me një tjetër ritëm, dhe arriti të rihapë takimin me anë të Ndriçim Shtubinës në minutën e 61-të, me shkodranin që shtyu në rrjetë një top të kthyer nga traversa e Ilion Likës.

Ndërkohë që loja bëhej e tensionuar dhe e ashpër, në minutën e 84-t pati vend për talentin e Edon Hasanit, që mori një top në pozicion të prirët me portën dhe bëri një gjuajtje fantastike, duke e çuar topin në trekëndëshin e Selmanit dhe duke dyfishaur avantazhin për bardheblutë.

Vetëm dy minuta më vonë, Tirana fitoi një tjetër 11-metërsh, të cilin këtë herë e mori përsipër Michael Ngo’o, por edhe goditja e anglezit u grushtua bukur nga kapiteni i Laçit. Kurbinasit bënë edhe disa tentativa në minutat e fundit, po pa arritur të ndryshojnë rezultatin.

Me këtë fitore, Tirana ruan diferencën prej dy pikësh nga Kastrioti dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit ka nevojë për vetëm një barazim, që të sigurojë mbijetesën, ndërsa Laçi nuk ia del dot të sigurojë kualifikimin për në kupat e Europës.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.