Si u zbut opozita pas bombardimit nga ndërkombëtarët, mesazhet e protestës

Protesta e gjashtë kombëtare e opozitës që u mbajt para kryeministrisë dhe parlamentit ishte paqësore dhe nuk pati asnjë rast dhune, përveç dy incidenteve të vogla ku protestuesit ndezen dy zjarre me pankartat e tyre. Ndryshe nga protestat e tjera, ku ka patur tentativa për të thyer derën e kryeministrisë dhe për t’u futur në parlament; dhe ku janë hedhur bomba molotov e gurë nga njëra anë, dhe gaz lotsjellës e ujë nga ana tjetër, në protestën e 25 majit opozita ndryshoi strategji. Në udhëheqjen e Bashës dhe Kryemadhit, qytetarët marshuan me dritat e celularëve të ndezura, ndërsa qindra balona me mbishkrimin “Rama ik” fluturuan në qiellin e Tiranës. Flamuj të SHBA, BE dhe Gjermanisë valëviteshin nga protestuesit, ndërsa dy diskursi i dy liderëve ishte i zbutur dhe paqësor.

Pse u zbut protesta e opozitës?

Protesta e 11 majit para kryeministrisë ishte tubimi më i dhunshëm i opozitë. Protestuesit hodhën bomba molotov dhe i vunë flakën derës së kryeministrisë. Përplasja mes protestuesve dhe policisë vazhdoi për disa orë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë. Agravimi i protestës u dënua ashpër nga ndërkombëtarët. Ambasadat e huaja reaguan në bllok, duke dënuar dhunën në protestës, ndërsa thirrën në emër Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën, duke u kërkuar të distancohen nga dhuna dhe të gjëjnë emrat e përgjegjësve. Reagimet më të ashpra ishin nga SHBA, BE, OSBE dhe Britania, ndërkohë që edhe ambasadat e tjera u rrështuan krah tyre. Incidenti që mori më shumë vëmendje ishte sulmi ndaj ambasadorit Borchard nga një grup protestuesish. Ndërkohë edhe të shtunën, pak para protestës, ndërkombëtarët reaguan në bllok, dukë bërë thirrje për protesta paqësore, ndërsa kujtuan edhe bombat molotov të 11 majit. Mesazh i cili solli zbutjen e protestës.

Si ndryshoi qëndrimi i Kryemadhit

Sinjalin e parë që protesta e sotme do të ishte paqësore e dha Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI, pas kthimit nga Amerika (ku mori vesh se i ishte anuluar viza zëvendësit të saj Petrit Vasilit), ndryshoi rrënjësisht gjuhën, duke bërë thirrje për protesta paqësore dhe duke shtuar se “policët janë vëllezërit tanë”. Edhe gjatë protestës se sotme, Kryemadhi ripërsëriti disa hera se “dhuna në protestë mban në pushtet Ramën”.

Meta si Kryemadhi: Jo dhunë

Pas deklaratave të Kryemadhit, reagoi edhe presidenti Meta. Pak orë para fillimit të protestës, presidenti bëri thirrje për tubim paqësor

“Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë. Vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi presidenti

Mesazhi kërcënues i Bashës dhe e ardhmja e paqartë

Megjithëse protesta ishte paqësore, Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk heq dorë nga tre kërkesat e saj: largimi I Ramës, shtyrja e zgjedhjeve dhe qeveri tranzitore, tre pika të panegociushme edhe për Ramën dhe qeverinë socialiste. Kryedemokrati kërcënoi sot me përplasje civile nëse zgjedhjet mbahen më 30 qershor, ndërsa pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët.

“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Nuk do ta lejojmë kurrë despotizmin antievropian, të cilët kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës. Sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Dialog me letra

Edhe pse nuk kanë gjetur gjuhën, ka patur një dialog me letra mes Ramës dhe Bashës. Kryeministri i ka dërguar deri më tani 4 letra publike, por Basha i është përgjigjur vetëm njëres prej tyre po me reagim me shkrim në facebook, ndërsa letrave të tjera u ka kthyer përgjigje nga tubimet me qytetarët. Sot Basha foli për “zgjidhje politike”, një hap afër dialogut.

Gazeta SHQIP





Comments are closed.