Plan apo ëndërr? Thaçi plas “bombën” në Has: Shqipëri-Kosovë i bashkoj në një shtet!

Në kulmin e debatit të dy kampeve të politikës shqiptare për çështjen e korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që kryesohen nga Hashim Thaçi në njërin krah dhe Sali Berisha në tjetrin, Presidenti i Kosovës ka lëshuar “bombën” e radhës.

Gjatë një vizite ditën e sotme në Has, ku mori dekoratën “Qytetar nderi” në Krumë, Thaçi nuk anashkaloi çështjen e kufirit Kosovës-Serbi, por ndër të tjera foli edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.



Sipas Kreut të Shtetit kosovar, në një të ardhme të afërt, Kosova dhe Shqipëria do të jetojnë bashkë, pa kufi.

Presidenti Thaçi theksoi se do të vazhdojë përkushtimin e tij, që ai e quajti jetësor për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet.

“Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në liri, dhe bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Të jeni të sigurt që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodh. Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, tha ai.


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.