Basha mbyll paqësisht protestën: Ndërkombëtarët janë me mua, Rama dëgjoje…

Pas dy orësh protestë dhe marshim, krydeomkrati Lulzim Basha e ka tërhequr turmën e protestuesve në selinë e Partisë Demokratike.

Ndryshe nga ç’ka ndodhur në protestat e tjera kombëtare, që kanë zgjatur më shumë se 4 orë dhe janë shoqëruar me incidente, protesta e sotme është mbyllur më herët në selinë blu.



“Mesazhi më i qartë i shpresës që ka lindur e që nuk do të fiket derisa beteja me të keqen të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë protestat tona bëhen më të mëdha, Bashkimi i shqiptarëve bëhet më i vendosur. Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe armiqve të demokracisë, se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Se ne jemi populli i Europës dhe nuk e duam despotizmin antieuropian të qeverisë së banditëve dhe kriminelëve që kanë asgjësuar demokracinë, kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Europës”, tha Basha në nisje të fjalës së tij.

Në vijim para mbështetësve që e ndoqën pas, Lulzim Basha shpalosi një mesazh të qartë që kumbon në zyrën e kryeministrit Edi Rama, kur tha se ndërkombëtarët janë tashmë në krah të tij dhe popullit shqiptar dhe duan zgjidhje politike të krizës.

Sipas Bashës, kjo zgjidhje politike do të vijë vetëm duke u larguar shkaktari i krizës që është kryeministri i Shqipërisë.

“Sot japim këtë mesazh të qartë këtë betejë e nismë për “Shqipërinë si e gjithë Europa”. Europa e dëgjoi zgjidhjen tonë dhe tani është koha për largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Ky grupim i jashtëzakonshëm ka forcën dhe qartësinë për të çuar këtë betejë deri në fund. Nuk do e pranojmë kurrë më dhunën e krimit të organizuar në kutitë e votimit, që kthehen në kutitë e plaçkitjes së shqiptarëve. S’do pranojmë qeveri të dalë nga zgjedhje ilegjitime. S’do pranojmë zgjedhje antikushtetuese të këtij kryeministri të kapur në krim. Jemi gati që bashkë me të gjithë faktorët e përgjegjshëm politike të vendit, t’i hapim rrugën zgjidhjes politike duke larguar së pari Edi Ramën. T’i hapim rrugën reformës kushtetuese e  zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe një qeverie të dalë nga vota e popullit, për popullin”, theksoi ai.

Duke i çuar një mesazh të koduar Edi Ramës, ai tha se uron që “orët dhe ditët në vijim të jenë ditë reflektimi të thellë për ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë popull dhe se mund të mbajnë peng qeverisjen me banditë dhe kryebanditë”.




Comments are closed.