“Asgjë personale”, Hashim Thaçi i drejtohet Berishës: Ti nuk të shikon në sy kur flet!

Hashim Thaçit nuk i del inati me Sali Berishën. Akuzat dhe polemikat mes tyre, i kanë kthyer në sule personale dhe të egra ndaj njëri-tjetrit.

Një natë më parë, ish-kryeministri shqiptar vijoi ta etiketojë si “argat të Millosheviçit” Presidentin e Kosovës, ndërsa sot ai e quan se ka mbetur vetëm një fosil!

“S.R.B është ai që solli këtë fatkeqësi të madhe në sofrën tonë dhe infektoi shumë politikanë me fjalorin e tij vulgar, duke u bërë modeli më i keq, – thotë ai, duke iu referuar Berishës. – Atë që nuk e kam kuptuar dikur, por që më neverit edhe sot, është fakti se S.R.B është tjetër njeri kur të rri përballë në bisedë, pa të shikuar kurrë në sy, dhe një tjetër njeri kur i drejtohet publikut. Fjalorin e tij të ulët publik, ai e quan politikë, ndërsa politikën një lojë ku duhet të fitosh me çdo çmim, duke thënë gjëra që s’i beson as vetë. S.R B nuk i beson as një sekondë akuzave që i bën në drejtimin tim, madje ai vetë e di shumë mirë se ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Por, për S.R.B kjo është politika! Një lojë e pistë pa rregulla dhe as kod etik. Një turp i vërtetë, në fakt! I jam trembur gjithnjë gjuhës së kontaminuar të S.R.B, sepse kurë nuk kam dashur që ajo të përhapet si epidemi edhe në Kosovë. Për fat të keq, kjo epidemi preku edhe parlamentin, disa parti, media, të paguara me pare të pista nga burime të zeza, që rrjedhin nga Tirana e derdhen në Prishtinë”, – thotë Thaçi.



Ai vijon ta cilësojë ish-kryeministrin një gërmadhë politike “E kam thënë dhe do ta them gjithnjë, se kam dhimbje kur e shoh si ka përfunduar në një gërmadhë morale dhe politike. S.R.B sot nuk paraqet asgjë tjetër, vetëm një fosil. Ai nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte kurrë miku im, sepse në mes të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, respektivisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Millosheviqit, ai zgjodhi rrugën e pasurimit personal, familjar dhe klanit të tij të ngushtë. Ai zgjodhi t’i bënte argat S. Millosheviçit me derivate e armë. Depot e derivateve që i mbushi Salihu në Beograd, ishin caqe të NATO-s në vitin 1999. Ai armatim u përdor për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Nga viti 1992 deri më 1997 S.R.B, si President i Shqipërisë kudo që fliste për Kosovën, kërkonte “autonomi” për Kosovën, sepse, sipas tij, pavarësia ishte shumë dhe mund të sillte luftë. Nuk e di nëse kjo zgjedhje e tij është bërë me dëshirë apo me dhunë. Këtë gjë duhet ta tregojë vetë S.R.B. Do të ishte vërtet e guximshme që ai të tregojë arsyet e vërteta që e bënë atë të jetë në shërbim të Millosheviçit. Por, unë nuk pres nga një qyqar-batakçi të tregojë ndershmëri dhe guxim, as tani kur ai po kalon në grahmat e tij të fundit. Kjo është ndër arsyet kryesore që e bëri S.R.B të refuzuar që nga viti 1996 nga gjithë skena politike shqiptare. Kosova nuk ia ka fajin për krimet piramidale të fajdeve. Nuk ia ka fajin për trazirat civile më 1997. As për tentim grusht shtetin e shtatorit të vitit 1998. As për vrasjet në Gërdec. As për vrasjet e demonstruesve paqësorë më 21 janar. Kjo është trashëgimi e juaja S.R.B, si i amnistuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, ndiej keqardhje për të sa herë e hap gojën. Dua ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se unë kur flasë për S.R.B, nuk e bëj aspak për të pastruar ndonjë hesap personal”.


Comments are closed.