Akuzat, Thaçi: Berisha nuk është as burrë dhe as malësor!

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me akuzat një ditë më parë në “Opinion” për arrestimin e tij për një krim ordiner të ndodhur vite  më parë.

Në një postim në “facebook”, Thaçi ka mohuar akuzat, duke e cilësuar Berishën një relikt të shëmtuar të politikës së vjetër.

“Me keqardhje dhe pa asnjë vullnet, jam i detyruar që të merrem për ta thënë të vërtetën e hidhur për një ish politikan të tillë. Nuk më sjell asnjë kënaqësi që të merrem me një relikt të shëmtuar, duke qenë i vetëdijshëm se ky intrigant bën përpjekje dëshpëruese të ushqejë hijen e tij, duke hedhur baltë mbi çdo gjë që konsiderohet si vlerë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare. Nuk kam asnjë dyshim se një ndër krimet më të mëdha në rrugëtimin e S.R.B, përveç përpjekjes për puç institucional, shkatërrimin e shtetit dhe demokracisë në Shqipëri, është edhe fakti se ai i shkatërroi edhe kodet e sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare. Pse unë po e përmend Odën? Për arsye se ai ka dëshirë të thirret në burrëri si dhe në tiparet e malësorit, gjë të cilën nuk e ka asnjërën. Ai punoi tërë jetën duke përçarë kombin dhe vendin. Tiparet e malësorit i humbi duke i shërbyer bllokut në vitet e diktaturës. Ai gjithmonë thirret në emër të veriut të Shqipërisë, edhe pse tri dekada, me politikën e tij, veriun e la në gjendje të mjerueshme dhe në izolim. Veriun e shfrytëzoi vetëm për të nxitur konfliktin veri-jug (kujto vitin 1997). Për shkak të krimeve të tij, ai tash e tri dekada nuk ka guxim si qytetar i lirë ta vizitojë tokën ku ai lindi, trevën në të cilën u rrit, sepse me veprimet e veta mbolli përçarje dhe vëllavrasje. S.R.B u shndërrua në zhurmues, përçarës dhe është i pabesi numër një i kombit tash e tri dekada. As Odat Shqiptare, e lëre më parlamentet tona, nuk i toleruan sharjet, shpifjet, ulërimat dhe kacafytjet mes burrave. Kurrë Oda Shqiptare nuk do të mbante në sofër burra që nuk kanë frena në gjuhë dhe ekuilibër në mendje”.





Comments are closed.