Ç’përmban pr/ligji për minatorët dhe naftëtarët? Nga ulja e moshës së pensionit te…

Sot në Kuvend pritet të miratohet projektligji për minatorët, metalurgët dhe naftëtarët, i cili nuk është pritur mirë nga këta të fundit pasi kërkojnë që t’ju jepet statusi, i premtuar nga qeveria Rama që në mandatin e parë të saj.

Por duket se për Statusin do të duhet kohë që të firmoset e zeza mbi të bardhë, ndaj përkohësisht, ministrja e Financave Anila Denaj ka mbrojtur në Kuvend planin e ri të qeverisë për t’i ofruar një sërë përfitimesh tre kategorive të lartpërmendura.

“Ky projektligj u jep një trajtim suplementar shtesë tre kategorive të profesioneve më të vështira, minatorëve nën tokë, punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit dhe metalurgjisë.

Konkretisht do të përfitojnë nga ky projekt ligj:

13300 minatorë

7600 naftëtarë

2500 metalurgë

Me miratimin e këtij projekt ligji sigurohet pensioni suplementar, si një shtesë mbi pensionin e pleqërisë, të përfituar nga skemat kontributive.

Përfitim tjetër i këtyre kategorive është edhe ulja e moshës së daljes në pension, në 55 vjeç për minatorët, dhe 60 vjet për naftëtarët dhe metalurgët.

Projektligji është një trajtim monetar shtesë, nuk është status për këto profesione, pasi statuset janë me spektër më të gjerë që lidhen jo vetëm me përfitime financiare në moshë pensioni.

Ky projektligj ju jep pension para kohe deri në 10 vjet të moshës normale të daljes në pension, këtyre tre profesioneve si dhe ju jep shtesë mbi pension të gjithë pensionistët aktualë dhe atyre që do të dalin në në vijim.

E theksoj edhe një herë, kjo shtesë mbi pension nuk është e financuar nga kontributet, por një privilegj që u bëhet këtyre tre kategorive të financuara nga buxheti i shtetit.

Me këtë shtesë të ardhurat e tyre arrijnë në shumën e pensionit maksimal që përfitojnë pensionistët e tjerë përmes skemës së kontributeve.

Në këtë projektligj përfshihen edhe metalurgët.

Ky projektligj jep përfitime shtesë për ata minatorë, naftëtarë, dhe metalurgë që kanë punuar në industrinë shtetërore dhe që punojnë në sektorin privat, por parashikohet që punëdhënësi dhe punëmarrësi të paguajnë kontribute në masën 5%. Me këto kontribute parashikohet që të ulet gradualisht edhe ngarkesa e buxhetit të shtetit”, sqaroi Denaj.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.