Zvicra ashpërson rregullat për posedimin e armëve në shtëpi

Zvicra ka miratuar, me 63.7% të votave të favorshme, një ndryshim në ligj që forcon rregullat mbi posedimin e armëve. Vetëm kantoni i Ticinos refuzoi rishikimin. Ligji, i miratuar nga Parlamenti dhe i kontestuar nga një referendum, merr direktivën e Bashkimit Europian mbi këtë çështje dhe përfshihet në masat për të luftuar terrorizmin. Edhe pse Zvicra nuk është anëtare e BE, ajo është e lidhur me marrëveshjet evropiane Shengen dhe Dublin.

Para votimit qeveria kishte paralajmëruar votuesit se fitorja e “jo” ndaj legjislacionit të ri mund të çonte në një përjashtim të Konfederatës nga traktatet evropiane. Përjashtim që do të kishte pasoja në fushat e sigurisë dhe azilit, por edhe të turizmit. “Është shumë keq që popullata ka ndjekur argumentin e frikës me Shengenin. Është pak e trishtuar, por ne e pranojmë rezultatin”, komentoi Olivia de Weck, nënkryetare e ProTell, lobit pro-armë që ishte mobilizuar fuqimisht kundër ligjit të ri .



Në rreth 48% të shtëpive zvicerane mbahet të paktën një pushkë, një nga përqindjet më të larta në Evropë, duke u renditur në vendin e 16 në botë. Sipas Qendrës Kërkimore të Armëve në Gjenevë, në vitin 2017 mbi 2.3 milionë armë ishin në duart e civilëve në Zvicër, pra rreth tre në dhjetë banorë.

Ligji i ri nuk parashikon një regjistër qendror, por paraqet një ndalim për armët gjysmë automatike të pajisura me një ngarkues kapaciteti të madh. Mbledhësit dhe rekreativët sportivë ende do të jenë në gjendje t’i blejnë ato, por kërkojnë një “autorizim të jashtëzakonshëm”: pas pesë vjetësh dhe së dyti pas dhjetë, ata do të duhet të dëshmojnë se vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin rregullisht.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.