Video-skandali në Austri, zgjedhjet e parakohshme do mbahen në shtator

Presidenti austriak Alexander van der Bellen tha të dielën se ai sygjeron që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen në fillim të shtatorit. Gjatë një deklarate në rezidencën e tij në Vienë ai tha se më e rëndësishmja ishte që austriakëve t’u jepej një shans për një fillim të ri, për të rindërtuar siç tha, besimin tek qeveria.

“Ky fillimi i ri duhet të ndodhë shpejt” tha Presidenti austriak Alexander van der Bellen.



Të shtunën Kancelari Sebastian Kurz shpërbëri koalicionin qeverisës dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së zëvendësit të tij, Heinz-Christian Strache, udhëheqës i Partisë së Lirisë, një forcë politike që përfaqëson ekstremin e djathtë.

Strache dha dorëheqjen pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke diskutuar mundësitë e dhënies së kontratave shtetërore në këmbim të favoreve.

Dorëheqja e këtij të fundit erdhi pas publikimit të një video regjistrimi nga gazeta Der Spiegel, ku ai shfaqet teksa i ofron kontrata qeveritare një gruaje që paraqitet si investitore e pasur nga Rusia.

Zoti Strache e pranoi fajin për veprimet e tij dhe e përshkroi sjelljen si “të papërgjegjshme”.

Ai tha se doli nga qeveria për të shmangur dëmet e mëtejshme ndaj qeverisë.

Ndërkohë skandali solli reagimin e menjëhershëm popullor. Rreth pesëmijë protestues u mblodhën përpara zyrës së kancelarit me pankarta në duar ku shkruhej: “Zgjedhjet e parakohshme tani.”

Skandali që ka përfshirë Austrinë u përdor menjëherë nga udhëheqësja konservatore gjermane, Annegret Kramp Karrenbauer, për të kritikuar partitë e ekstremit të djathtë.

Kramp Karrenbauer, që është kryetarja e kristiandemokratëve gjermanë dhe zëvendësuese e mundshme e kancelares, Angela Merkel, tha se “partitë populiste të ekstremit të djathtë janë të gatshme të shesin vendin e tyre për përfitime personale”.

Udhëheqësi i Partisë së Lirisë dha dorëheqjen pasi u shfaq në një videoskandal korrupsioni.

Materiali filmik që është transmetuar pjesërisht nga dy media gjermane tregon politikanin 49-vjeçar duke dialoguar lirshëm në ishullin spanjoll të Ibizës në vitin 2017, pak muaj përpara zgjedhjeve kombëtare. Në shoqërinë e tij ndodhet një e vetëquajtur oligarke ruse së cilës Shtrahe i premton favore politike dhe tenderë publikë.


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.