Thellohet skandali i dosjes 339/ Jo vetëm Dako, në përgjime edhe gjyqtarë e prokurorë

Pas dëshmisë në prokurori për 5 orë të kryebashkiakut të Durrësit, Zëri i Amerikës ka publikuar detaje të reja lidhur me hetimet për dosjen “339”.

Teksa raporton për dëshminë në prokurori duke iu referuar TopChannel, sipas VOA në përgjimet voluminoze, krahas zotit Dako, jozyrtarisht mësohet se u kanë dalë emrat edhe disa zyrtarëve të tjerë të pushtetit vendor, si dhe disa gjyqtarë e prokurorë, të cilët mund të pyeten në vazhdim të hetimeve.

Vangjush Dako u pyet në prokurori lidhur me hetimet po zhvillohen mbi veprimtarinë kriminale të një grupi personash në Shijak, të arrestuar gjatë operacionit Vol-Vo 4 vitin e kaluar.

Emri dhe zëri i zotit Dako është regjistruar në biseda telefonike të përgjuara antarëve të këtij grupi kriminal, i cili krahas trafikimit të narkotikëve, dyshohet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

Prokurorët vazhdojnë të zbardhin volume të tëra përgjimesh telefonike mes pjesëtarëve të grupit, që, sipas prokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, janë regjistruar në gjithsej 700 compact disqe.

Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi sërish kërkesën e njërit prej të arrestuarve, Altin Avdyli, i njohur me nofkën Niçja, i cili u mbajt në arrest me burg.

Gjatë operacionit Vol-Vo 4 u arrestuan 74 persona, të cilët nga hetimet kanë kryer disa vepra penale si trafik i drogave, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe ndërhyrje të paligjshme në procese zgjedhore.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.