Spahiu: Ja katastrofa që ka sjell Rilindja me reformën territoriale

Jemi në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, të dytat që do të zhvillohen për 61 bashki të vendit sipas reformës territoriale që u aplikua katër vite më parë në Shqipëri, dhe në fund të një mandati të qeverisjes vendore ia vlen të bësh një bilanc.

Dhe bilancin për këtë reformë të qeverisë Rama e ka bërë ish-deputeti i LSi, Përparim Spahiu, i cili në bazë të përllogaritjes së kostove që kjo ndarje ka në xhepin e qytetarëve, thotë se u ka kushtuar dyfish shqiptarëve!





“Kur vjen puna te shifrat duhet të mbyllësh gojën se nuk ke çfarë thua dhe këtë, mbase e vetmja, Edi Rama e bën, mbyll gojën dhe pranon dështimet. Reforma administrative, një nga shtyllat e saj, kishte uljen me rreth 80 apo 90 milion dollarë të kostove për buxhetin, ndërkohë që ka ndodhur krejt e kundërta, madje edhe më keq. Bashkitë shpërdoruan taksat e grumbulluara, në mënyrë të shfrenuar, ku vetëm vitin 2018 u regjistrua një nivel rekord shpenzimesh me 350 milion dollarësh, me një rritje 17.2% nga 2017”, konstaton Spahiu.

Sipas tij, skandali i rritjes së kostove thellohet edhe më tej, pasi sot me 61 bashki kemi dyfish të punësuar, në krahasim me 300 komunat dhe 60 bashkitë që ishin në 2013.

“Fryerja e administratës solli rritje të shpenzimeve operative për personelin, që shkon deri në 200 milion dollarë në vit. Këtu futen shpenzimet për materiale zyre që u rritën me +31.3%, shërbime nga të tretët me +24.5%, shpenzime transporti +24.8%, shpenzime udhëtimi +12.1%, shpenzime të tjera operative +46.2% dhe mirëmbajtje e zakonshme +49.3%. Rritja është për vitin 2018, dhe nëse e krahasojmë me 2013 kjo është shumë më lartë”, analizon ish-deputeti.

Ndërkohë shpenzimet për investime që duhet të ishin parësore, shënuan një vlerë prej rreth 130 milion dollarësh në fund të vitit 2018, në rënie me rreth 26.7% në terma vjetorë.

Mjaftojnë vetëm këto statistika për të kuptuar sipas Sapahiut katastrofën që ka sjell Rilindja, në çdo sektor të ekonomisë.

“Sot me reformën territoriale kemi më pak investime dhe më shumë shpenzime për të punësuarit (normal do të përdori çdo skemë që i sjell vota)”, nënvizon ai.





Comments are closed.