Prapaskenat / Përse prokurori Hadarmataj nuk e thirri asnjëherë Vangjush Dakon?!

Vangjush Dako (majtas) dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj

Në një kohë kur opozita ka përshkallëzuar protestat e saj dhe si “kalë beteje” ka vënien para drejtësisë  të autorëve të shit-blerjeve të votave në zgjedhjet parlamentare dhe lokale 2017, Vangjush Dako thirret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Një lëvizje e papritur nga ana e organit të akuzës, pasi këtë të enjte ka marrë dëshminë për 5 orë të kryetarit aktual të Bashkisë së Durrësit dhe lajmi është publikuar vetëm dje.

Dako akuzohet nga opozita se është i përfshirë në disa përgjime të dyshimta me anëtarë të një bande mafioze të Shijakut, ku flitet për shit-blerje votash. Një pjesë e përgjimeve u publikua edhe nga Zëri i Amerikës, por fakti është se këto materiale, të cilat janë me qindra CD ende të pazbardhura, kanë qenë në zotërim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që në vitin 2017.

Përgjimet janë kryer në qershor 2017 dhe se prokurori i dosjes Besim Hajdarmataj e ka pasur përgjimin në dosje.

Po si u keqpërdor dosja “339” nga ana e Prokurorisë?

Pyetja që shtrohet, është pse prokurori i njohur e ka mbajtur dosjen në sirtar dhe nuk e thirri asnjëherë Vangjush Dakon në Prokurori për të dëshmuar?

Dosja, e cila zotërohej prej tij, duke qenë asokohe drejtues i kësaj Prokurorie, tashmë ndodhet në duar të prokurorëve Vladimir Meçe dhe Dritan Premçi, të cilët nuk kanë dhënë asnjë detaj.

Dhe përveç “bëmave” të Dakos në Durrës, asnjë nuk përmendet emri i Hajdarmatajt për dështimin e dosjes së ashtuquajtur tashmë, “339”.

Të vetmen detyrë që bëri Hadarmataj në të gjithë këtë histori, ishte dekonspirimi i informacioneve në media, ku dyshohet se materiali mund të jetë shitur drejt segmenteve të caktuara për interesa të ndryshme politike.

Hajdarmataj ka pasur të gjithë kohën e mjaftueshme që të thërriste në Prokurori Dakon për ta mbështetur pas murit me fakte dhe prova, gjithnjë nëse ekzistojnë, por ka bërë të kundërtën.

Ka zgjedhur të heshtë në fillim dhe më pas e ka keqpërdorur informacionin, duke shkaktuar një stuhi në media.

Përgjimet e Dakos me Avdylajt

“Bomba” plasi kur dhjetëra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u botuan nga Zëri i Amerikës, duke hedhur dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër.

Bisedat telefonike tregonin një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe pjesëtarëve të bandës famëkeqe të Shijakut, vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se ishte shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregonte përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikonte me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.

Gazeta SHQIP





Comments are closed.