“Kush prish zgjedhjet, i ndalohet përjetë hyrja në SHBA e BE”, pse s’vlen kërcënimi i Ramës?!

“Nëse dikush dënohet për krime zgjedhore, atëherë i ndalohet përjetë hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e Bashkimit Evropian”.

Nga takimi i djeshëm me 61 kandidatët për kryebashkiakë, kryeministri Edi Rama lëshoi këtë kërcënim për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët mund t’i bashkëngjiten sipas tij tentativës së PD dhe LSI për të penguar me forcë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Por më shumë se sa një lojë fjalësh që mund të ngjallë tmerr e frikë te militantët e revoltuar të opozitës, kërcënimi i shefit të qeverisë nuk mund të vendoset në zbatim pasi kuadri ligjor në Shqipëri nuk e lejon diçka të tillë, e jo më ai i BE-së.

“Në asnjë cep bashkie nuk duhet të vë në dyshim a do bëhen apo jo zgjedhje. Kush i afrohet një qendre votimi, djeg veten, jo zgjedhjet. Sa më shumë të informohen për Kodin Penal, dhe nuk ja vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tua në burg, të dënuar për krime zgjedhore që u hiqet e drejta për hyrjen në SHBA dhe BE. Nuk dua t’ia shoh asnjë shqiptari këtë qeder, dhe të mbetet tërë jetën pa hyrë në BE dhe SHBA dhe shkoi e vajti pas udhëheqje që kërkon ta bëjë përshesh Shqipërinë”, shtoi më tej Rama.

Por, avokati i njohur, njëherësh aktivisti Adriatik Llapaj i ka nxjerrë sot kryeministrit Nenin 38 të Kushtetutës, për t’i kujtuar se fjalimi i djeshëm për SHBA e BE është thjeshtë i pavlerë në kontekstin, se shqiptarët nuk i ndalon dot as ai dhe as ndonjë politikan tjetër të shkojnë në Perëndim, edhe nëse kanë cënuar zgjedhjet.

“Me frikë do e mbash mo i madh?!!! Të kam thënë dhe herë tjetër se i ke juristët mysybet si gjithë qeverisjen tënde. Lexo nenin 38 të Kushtetutës edhe mos na lodh shumë trutë”, ironizon Llapaj.









Comments are closed.