Ekskluzive/ Ja ku u bazua Rama për refuzimin e vizave, për ata që bllokojnë zgjedhjet

Një “kryq i zi” i përjetshëm nga Perëndimi! Kjo ishte pak a shumë domethënia e deklaratës së fortë që kryeministri Edi Rama bëri dje teksa prezantoi kandidatët e PS për 61 bashkitë e vendit dhe paralajmëroi “zonjën kapsollë, zotin dixhital dhe zotin molotov s’e nuk e mundin dot”.

Përtej Bashës, Kryemadhit e Berishës që i përmend me etiketime, Rama tentoi të mbillte frikë te mbështetësit e opozitës që dalin në shesh prej muajsh për të protestuar kundër tij, e që mund të përdorin forcën për të ndalur zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Me fjalinë : “Kush i afrohet një qendre votimi, djeg veten, jo zgjedhjet  se të dënuarve për krime zgjedhore u hiqet e drejta për hyrjen në SHBA dhe BE”, kryeministri luajti me kartën e black-listimit për pengimin e zgjedhjeve (obstructing elections) në Kushtetutën e SHBA.

Por, cili është ligji ku u bazua Rama për mosdhënien e vizës nga SHBA, për ata që tentojnë të pengojnë zgjedhjet?

Gazeta Shqip nëpërmjet hulumtimit në Kushtetutën e SHBA ka zbuluar se i gjithë arsyetimi i shefit të qeverisë lidhet me Presidential Proclamation 7750/ Section 1(c).

Ky është ligji 7750 dhe ka hyrë në fuqi më 12 janar 2004, kohë kur “Shtëpia e Bardhë” drejtohej nga George W. Bush dhe aty thuhet se i pezullohet hyrja si emigrantë ose person jo-migrues (me qëllime turistike) personave të përfshirë në skandale korrupsioni ose atyre që përfitojnë prej tij.

Ndërkohë, për të dalë në konkluzionin e Ramës duhet të sqarojmë edhe seksionin 1 (c) të këtij ligji, ku thuhet se u ndalohet hyrja në Amerikë: “Zyrtarëve publikë ose zyrtarëve të mëparshëm publikë, keqpërdorimi me fondet publike i të cilëve, ose ndërhyrja në gjyqësor, procese elektoral ose procese të tjera publike kanë ose kanë pasur efekte serioze negative në interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Gazeta SHQIP









Comments are closed.