Dosja 339/ Çfarë dëshmoi “Supermeni”  Dako 5 orë te Krimet e Rënda?!

Pas shumë akuzave të opozitës dhe thirrjesh për zbardhjen e “Dojses 339” që provon ndërhyrjen e krimit të zgjedhjet e 2017-ës, Vangjush Dako u thirr për  të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Mësohet se kryebashkiaku i Durrësit, i cili zgjodhi të mos kandidonte për një mandat të 4-të dha shpjegimet e tij para dy prokurorëve, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, pasditen e të enjtes që lamë pas.



Prokurorët kanë dëgjuar versionin e të vetëshpallurit “Supermen”, i cili nga hetimet për grupin e drogës së Avdylajve, rezulton se ka pasur kontakte me disa prej tyre, ndërsa opozita pretendon se i ka paguar që të mblidhnin vota nëpërmjet presioneve për të.

Pavarësisht përgjimeve, që provojnë një përfshirje në shitblerjen e votës, Dako gjithmonë e ka mohuar një fakt të tillë publikisht. Ai ka pranuar se mund të ketë kontaktuar me Niccen e Avdylajve, por ashtu siç kontakton me qytetarë të tjerë të Durrësit, në cilësinë e kryebashkiakut.

Ndërkohë, “Panorama” raporton se pas përfundimit të transkriptimit të disa prej përgjimeve, tashmë hetimet për këtë dosje kanë kaluar në një fazë tjetër dhe janë marrë shpjegime nga personat që kanë rezultuar në përgjime.

Mësohet se Dako është pyetur për rastet kur ai rezulton të kontaktojë me anëtarë të grupit Avdylaj dhe njohjen me ta.

Nuk ka detaje, sa i takon pretendimeve të kryebashkiakut, ndërsa Prokuroria e konsideron si pjesë të sekretit hetimor. Hetimi për këtë dosje ka nisur që në vitin 2016, ndërsa janë vënë në përgjim disa grupe që dyshohet se trafikonin lëndë narkotike, ndërkohë në përgjime kanë dalë edhe zyrtarë të lartë. Kujtojmë se në kuadër të hetimeve për këtë dosje u arrestuan dhe janë nën hetim dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

Pas zhvillimit të operacionit “Vol-vo 4”, ku u arrestuan disa persona si pjesë e grupit të “Avdylajve”, vetë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëri të ditur se nga përgjimet për këtë procedim penal kanë dalë edhe disa zyrtarë në administratë dhe hetimet po zhvilloheshin për korrupsion dhe vepra të tjera penale.


Comments are closed.