Vangjush Dako dëshmon 5 orë te Krimet e Rënda për Dosjen ‘339’

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka dëshmuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

Kryebashkiaku i Durrësit ka dëshmuar për pesë orë në prokurori.  Gazetarja Anila Hoxha nga Krimet e Rënda në një lidhje për Top-Channel tha se Dako është marrë në pyetje nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi.



“Hetimet për dosjen Vol-vo 4 kanë marrë një kthesë dinamike. Gjatë ditës së sotme është refuzuar kërkesa e Niçes për lirim, duke u lënë në arrest me burg. Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se zoti Dako është pyetur gjatë së enjtes nga ora 15 deri në orën 20. Ato nuk japin asnjë detaj gjatë kësaj seance, ku pyetjet janë bërë nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi. Janë marrë në pyetje edhe drejtues të tjerë lokalë. Për shumë persona janë zbardhur mjaft përgjime, për sa kohë që siç tha Arta Marku janë 700 CD të pazbardhura. Hetimet janë regjistruar për një sërë veprash penale, nga trafiku i drogës e deri te ato të lidhura me çështjet e zgjedhjeve. Në përgjime kanë dalë edhe gjyqtarë dhe prokurorë. Hetimet janë mjaft sekrete, por kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që është në dijeni”, tha gazetarja.

Lëvizja e prokurorisë vjen në kulmin e debatit politik dhe kur prej kohësh opozita ka hedhur akuza ndaj kryetarit të bashkisë së Durrësit.


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.