Çështja Tahiri/ Moisi Habilaj hap “thesin” në Katania: S’isha unë shefi, por…

Teksa në Shqipëri të gjithë presin verdiktin final për çështjen Tahiri, që përfshin lidhjen e ish-ministrit të Brendshëm me kushërinjtë trafikantë droge, në Catania të Italisë vazhdon saga e marrjes në pyetje të anëtarëve të “Bandës Habilaj”.

Ata kanë dalë sot sërish para gjykatës, ndërsa Prokuroria u ka komunikuar një sërë veprash penale të lidhura me trafikun e drogës dhe armëve, në një xhiro që përllogaritet sipas një artikulli të “MeridioNews” në 20 milionë euro.



“Meridionews”, në artikullin me titull: “Droga nga Shqipëria, kushëriri i ish-ministrit nga qelia: ‘Nuk isha shefi’’ – jep detaje nga deklaratat e Moisi Habilajt dhe avokatëve të tij mbrojtës në sallën e gjyqit.

“Moisi Habilaj nuk ka qenë kurrë një nga bosët kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës, por vetëm një “personash” i thjeshtë. I aftë të organizojë, së bashku me disa bashkëpunëtorë, rrugë autonome të drogës nga Shqipëria dhe kur shkoi keq, si në rastin e ndërhyrjeve të policisë në Augusta dhe Riposto, ai pagoi me para nga xhepi i tij”, shkruan media italiane.

Sipas raportimit sot Habilaj  ka ndjekur dëgjimin nga prapa hekurave, brenda një dhome në katin përdhes të gjykatës në Piazza Giovanni Verga, ndërsa është mbrojtur nga avokatët Giuseppe Ragazzo dhe Maria Calatabiano.

“Ai nuk është kreu i ndonjë organizate kriminale dhe nuk ka zgjedhur kurrë njerëzit që ishin pjesë e grupit. Ai ka një pozicion si gjithë të tjerët. Prandaj kërkesa që rrethanat rënduese që të jetë “koka” përjashtohen”k a shpjeguar një nga avokatët e tij.

Sipas avokatëve, gjyqtari i çështjes Maria Cardillo, duhet gjithashtu të marrë parasysh “sjelljen procedurale, gjithmonë lineare dhe që nga momenti i parë i përqendruar në bashkëpunimin me autoritetin gjyqësor”.

Në dy raste, shefi i dyshuar, i ndaluar që nga tetori 2017, pati takime ballë për ballë me magjistratët italianë dhe me magjistratët shqiptarë që erdhën në Catania për të qartësuar qëndrimin e tij.

“Në Shqipëri përmes Celaj Sabaudin takova Fatoshin, i cili është një tregtar i madh i marijuanës dhe më propozoi të filloja një trafik me Sicilinë”, thuhet ndërkohë në një nga procesverbalet e dëshmisë së Habilaj, që publikon MeridioNews.

Ndërkohë, aktivitetet që Habilaj ka pranuar të ketë bërë janë: “Udhëtimi i parë që morra ishte në vitin 2013, i cili përfundoi me marrjen e mbi 1500 kilogramë marijuanë në Augusta. Unë kisha ardhur në Sicili në vitin 2006 dhe më parë isha murator, pastaj fillova të transportoja fruta dhe perime në tregun e Vittoria”, ka rrëfyer ai.

Kujtojmë se, për Moisi Habilaj, prokuroria italiane kërkon 18 vite burg.


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.