50 mln euro çdo vit “qyl” në xhepin e koncesionarit, ç’fshihet pas taksës në Tiranë-Durrës?!

Gazetari i ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorrri, i cili e ka ndjekur prej disa vitesh diskutimin dhe lëvizjet e qeverisë për idenë e dhënies me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës, duke faturuar kalimin në të me një taksë, ka analizuar sot se ç’po “gatuhet”.

Me një shkrim të gjatë publikuar në Facebook, gazetari konfirmon se pas kompanisë indiane që ka dërguar në Kryeministri ofertën e pakërkuar, qëndrojnë dy kompanitë shqiptare “Albstar” dhe “Trema Inginiering”.


“Sipas ofertës së pakërkuar të koncesionit, ky konsorcium do të investonte një shifër rreth 150 milionë euro për ta zgjeruar rrugën me dy korsi shtesë dhe në këmbim do të vendosej një tarifë kalimi nga 2 deri në 5 euro për çdo automjet, në varësi të madhësisë së tij.Rruga Tiranë-Durrës është 34 kilometra e gjatë në total”, konstaton Tomorri.

Por ai thekson se katër vite më parë qeveria pajtoi një kompani të njohur greke për të hartuar Strategjinë Kombëtare të Rrugëve me Pagesë dhe për 6 muaj, “Egnatia Odos” përcaktoi tarifat përkatëse, që duhet t’u ngarkoheshin qytetarëve.

Në autostradën Tiranë-Durrës sipas kësaj analize tarifa maksimale e kalimit nuk duhet të ishte më shumë se 1 euro, por qeveria synon ta çojë në nivelin 2 deri në 5 euro, ç’ka me një përllogaritje të thjeshtë do të kalonte në xhepat e koncesionarit, plot 50 milionë euro në vit “qyl”.

“Një tarifë të paktën 2 herë nga niveli më i rëndë i propozuar nga konsulenti, që do u ngarkohet qytetarëve në kurriz, përmes një koncesioni që i bie ndesh edhe Kushtetutës. Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro në vit si taksë qarkullimi tek karburantet, mbi këtë do të paguajnë tarifa kalimi në akset me kyç të vendit. Pra 2 pagesa për të njëjtin shërbim, edhe pse Kushtetuta e ndalon qeverinë të taksojë dy herë të njëjtën gjë. Dhe ky është një biznes marramendës. Në rrugë kalojnë 50 mijë mjete në ditë, që do të thotë se janë të paktën 50 milionë euro në vit të ardhura të garantuara për privatin”, konstaton më tej gazetari.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.