Taksa në Tiranë-Durrës – Kush është shqiptari i ‘kamufluar’ si indian që do na marrë 2 deri në 5 euro?!

24 orë pasi mediat i bënë jehonë një interviste të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku deklaronte se autostrada Tiranë-Durrës mund të bëhej me pagesë nga vjeshta e 2019-ës, ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Nga selia blu, ish-deputeti Endri Hasa ka zbërthyer sipas tij skemën që qeveria Rama do të përdorë për të kaluar në arkat e koncesionarit, që po ndërton edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, 2.5 deri në 5 euro për çdo kalim në drejtim të bregdetit dhe kryeqytetit.



Sipas denoncimit të PD, rezulton se firma që po ndërton stadiumin i kombëtar është “AlbStar”, por opozita shkon edhe më tej, teksa thotë se kompania shqiptare do të jetë e kamufluar si një koncesionar nga India.

“Pak ditë më parë Partia Demokratike paralajmëroi shqiptarët se qeveria në ikje e Edi Ramës ka nisur të zbatojë projektin urgjent të grabitjeve të reja të shqiptarëve me moton “të kapim ç’të kapim”. Një nga këto grabitje është dhënia me koncesion e autostradës Tiranë – Durrës, për kalimin në të cilën shqiptarët nga veriu në jug do të paguajnë nga 2.5 – 5 euro. Në krye të grabitjes së madhe të qytetarëve, Edi Rama ka vendosur kampionen e abuzimeve, Belinda Balluku.

Ministrja e Transporteve i mashtroi sot shqiptarët, kur tha se nuk kishte ardhur koha e detajeve për pagesën.

Fituesi për dhënien me koncesionin të autostradës Tiranë – Durrës dhe bërjen e saj me pagesë është i paracaktuar nga qeveria e Edi Ramës, njësoj si vendimi korruptiv për autostradën Durrës – Kukës”, ka thënë Hasa.

6 muaj më parë Ministria e Transporteve pranoi publikisht se bërja e rrugës me pagesë është propozim i një kompanie indiane, prapa së cilës qëndron ndërtuesi i stadiumit kombëtar, i përzgjedhur pa garë nga Edi Rama”, tha Hasa.

Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se për Autostradën Tiranë – Durrës ka shpenzuar 3 vitet e fundit të paktën 4 milionë euro për veshjen me palma, për ndërrimin e tyre me pisha, për arnimin e gropave dhe për projektimin e zgjerimit, para që sipas PD do hidhen në kosh, sepse Edi Rama dhe Belinda Balluku kërkojnë të grabisin me qindra milionë euro nga paratë e shqiptarëve.

Hasa theksoi gjithashtu, se PD ka ndërmend të zhbëjë një koncesion të mundshëm, që qeveria Rama mund të palikojë për këtë aks, në momentin që do të vijë në pushtet, duke e lënë sërish të lirë qarkullimin, pra pa pagesë.

“Në qeverisjen e Partisë Demokratike autostrada Tiranë – Durrës  do të mbetet një rrugë kalimi pa pagesë. Modernizimi i saj është plotësisht i mundur me paratë e buxhetit të shtetit. Sipas vetë projektit të qeverisë, zgjerimi i autostradës kushton rreth 250 milionë euro, ndërkohë që, aktualisht, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur që të paguajë 3 inceneratorë me 178 milionë euro, ndërsa shqiptarëve kërkon t’ua bëjë rrugën me pagesë. Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët duhet t’i bashkohen kauzës për largimin e Edi Ramës”, deklaroi ish-deputeti.


Comments are closed.