“Sali, ja ku jemi unë dhe ti për të zgjidhur krizën”/ Takimi i fshehtë mes Fatos Nanos dhe Berishës

Në librin autobiografik ‘Nocturn’, Bamir Topi rikujton momentet e jetës së tij se si nisi gara që e çoi drejt mandatimit si President. Momenti i parë i papritur, sipas tij, ishte futja në garë e Fatos Nanos gjë që do t’i jepte karakter gare politike situatës. Për këtë ai kishte zhvilluar edhe një takim kok më kokë me Berishën.

Pjesë nga libri
Papritur vjen lajmi se Fatos Nano kishte zyrtarizuar kandidaturën, duke marrë firmat e më shumë se 20 deputetëve miq të tij. Kjo e futi garën presidenciale si një konkurrim të figurave politike, duke dalë nga emrat e konsensusit me figura jopolitike. Në këto kushte sikur mos të kishte ndodhur asgjë, Berisha më ftoi më pas të pranoj para grupit kandidaturën.



Ramë dakord për një takim në zyrën e tij në orën 16:00 të pasdites, ndërkohë që kuvendi do të mblidhej në orën 18:00 të po asaj dite për fillimin e votimin të parë. Sapo u takuam i thashë që tani isha fitues moral i një beteje të panevojshme të shkaktuar nga ai dhe do të pranoja kandidaturën zyrtare, me kushtin e vetëm që do të bëheshin të gjitha votimet pa tërheqje dhe pa futje të një emri tjetër nga fundi i procesit, sikurse flitej.

Më pas futja në garë e Neritan Cekës e komplikoi edhe më shumë situatën. Për zgjidhjen e saj në raundin e katërt të votimin Bamir Topi e përshkruan kështu takimin në shtëpinë e tij me Shkëlqim Hajdarin që më pas do të pasonte me dy takime, që do të zgjidhnin përfundimisht ngërcin politik.
Pikërisht dy ditë para raundit të katërt, meqenëse nuk na dilte llogaria me votat teorike, më vjen në shtëpi miku im Shkëlqim Hajdari dhe menjëherë futet në temë:

-Për tu zgjedhur President, duhet të kërkojmë votat e Fatos Nanos! Unë u zura ngushtë, pasi Nano kishte qenë përballë meje në garë, por edhe si lider i së majtës, me të cilin Partia Demokratike dhe unë kishim bërë beteja të forta politike. Shkëlqimi vazhdoi bisedën, duke thënë:

-Më lejo të flas për këtë çështje me mikun tim të afërt Ilir Kullën, që është njëkohësisht këshilltar dhe mik i ngushtë me Fatos Nanon.

-Dakort! – iu përgjigja unë, pa pasur ndonjë besim se do të arrihej ndonjë kompromis.

Biseda mes Shkëlqim Hajdarit dhe Ilir Kullës nuk kishte kaluar pa tension.

Ilir Kulla i kishte telefonuar z. Nano me të cilin kishte bërë një bisedë të gjatë dhe të tensionuar. Pas kësaj Iliri ishte kthyer në tavolinë, duke thënë se Fatosi është në udhëtim, por do të presim gjysmë ore. Pa kaluar 30 minuta, Nano i telefonon Kullës duke i thënë se po rikthehej në Tiranë dhe ti thotë z. Topi të qëndrojë i gatshëm për të vazhduar kontaktet pasdite.

Pasdite, së bashku me Shkëlqimin dhe Ilir Kullën, u takuam në hotel “Sheraton”, ndërsa në një tryezë afër nesh qëndronin deputetet Oketa, Babasi dhe Pal Dajci. Ilir Kulla menjëherë mori fjalën duke thënë: Fatos Nano është i ndërgjegjshëm për momentin historik, por dhe ju duhet të vlerësoni që një marrëveshje e tillë nuk duhet të perceptohet si pazar politik, ndaj është i rëndësishëm qartësimi i pozicionit politik të Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës dhe për këtë arsye ai kishte kërkuar të takohej me Kryeministrin në praninë time. Më tej unë iu përgjigja:

-Ilir, keni plotësisht të drejtë. Nuk është çështje midis dy personave! Menjëherë u lidha në telefon me Sali Berishën dhe kërkova të takoheshim në zyrë për të biseduar për një takim të mundshëm me Fatos Nanon. Pra, Fatosi kishte rënë dakord të takohej me Berishën dhe me mua në një vend larg vëmendjes së mediave. Natyrisht, këtë sinjal ia transmetoj Berishës dhe vendosëm të takoheshim në restorantin e një miku tim.

Sali Berisha dhe Fatos Nano u takuan si njerëz të cilët kishin vendosur paqen rreth gjashtë muaj më parë në janarin e vitit 2007 në Pallatin e Brigadave.

Nano ishte më i lirshëm, ndërsa ne ishim njerëzit që po kërkonim mbështetjen e tij. Fatosi e çliroi emocionalisht takimin duke u shprehur se situata politike ishte përkeqësuar dhe tashmë ai e kishte mbyllur ambicien për të konkurruar, për shkak të refuzimit nga Edi Rama.

-Sali, ja ku jemi, prapë unë e ti, për t’i dhënë zgjidhje krizës së radhës, – vazhdoi duke qeshur Nano.

-Fatos të falënderoj që po bëhesh pjesë e zgjidhjes me potencialin tënd politik, – vazhdoi Berisha.

Sikurse u pa gjatë bisedës, kontributi i tij ishte pa kushte dhe kërkesa. Biseda, e cila u zgjidh qysh në fillim, vazhdoi për tema të tera, e relaksuar dhe me premtimin final që deputetët mbështetës të tij do të ishin prezentë për të votuar.





Comments are closed.