Një “Napoleon», një “Courvoisier”, një “Scanderbeg”?…

Luan Rama

E dashur mike… Meqë kalova nga qyteti Cognac, qyteti mesjetar i Francës dhe vendlindja e një prej mbretërve më të shquar të saj, François I, ai që pati si aleatë të fortë që në Marignano dhe më pas në tokën e mbretërisë stradiotët shqiptarë të Merkur Buas, ti më pyete me kureshtjen tënde dhe për konjakun francez. Sigurisht, në kohën e stradiotëve shqiptarë vreshtat ishin të begata në këtë zonë por konjaku ende s’kishte filluar aventurën e tij marramendëse.



Jo larg që këtej, anijet angleze e hollandeze vinin në portin e Rochefort, buzë Atlantikut të merrnin verën franceze, meqë kjo pjesë e Francës atë kohë ishte protestane dhe nën influencën angleze. Më vonë erdhi lufta fetare mes katolikëve e protestanëve që kulmoi me “Natën e Shën Bartolomeut” ku gjaku u derdh lumë dhe ku morrën pjesë edhe stratiotët shqiptarë.

Pasi mbreti Henri IV vendosi paqen fetare me deklaratën e “Edith de Nantes”, punët e tregëtimit të verërave shkuan mbarë, anijet u shtuan, por meqë rruga ishte e gjatë deri lart në vendet Skandinave atëherë prodhuesit e verërave menduan që verën ta distilonin dhe të krijonin atë lëng të paster aromatik që në atë kohë do të quhej “brandwijn”, e më pas do të merrte emrin “Cognac”, “Armagnac”, “Remy-Martin” (çka e gjenim gjithnjë në shtëpinë e franko-shqiptares Solange d’Angély – ku shqipja bëhet akoma më e ëmbël), e emra të tjera, për çka Franca do të shquhej në gjithë botën.

Kapitullin e konjakut nuk e kam prekur në librin tim mbi verërat franceze ”Vera, ky nektar i njerëzve dhe i hyjnive”, por sidoqoftë do të duhej të shkruhej, pasi ashtu siç themi për verërat e famshme një “Romanée Conti”, një “Chateau Margot”, një “Talbot” apo “Rotchild” et “Saint Julien”, themi tashmë dhe emrat e konjakeve franceze.

Atëherë konjaku vendosej në damixhanë të mëdhenj qelqi (1875) dhe unë kisha menduar se fjala damixhan ishte otomane, por jo, ajo vinte nga fjala “Dame Jeanne” pra “Zonja Zhanë” dhe kjo zonjë figurative kushedi sa burra bënte t’i përgjëroheshin. Kështu u krijuan dhe shtëpitë e para prodhuese të konjakëve si “Martell” më më 1719, “Hennessy” që pamë në Cognac, e hapur më 1765, shtëpia “Otard” që më 1795, e vendosur në hyrjen e kështjellës që vizituam, etj.

Në Jarnac, ku ndaluam dhe ku është shtëpia e lindjes se ish presidentit Miteran si dhe varri i tij në varrezat e qytetit, të bënin përshtypje ndërtesat e vjetra ku strehoheshin alkoolet dhe ku muret ishin të nxira, me myk, pasi në to konservohej konjaku dhe avujt si dukej grryenin muret e ndërtesave. Në Jarnac ngrihet madhështore ndërtesa e fabrikës së konjakut “Courvoisier”, një nga konjaket më të preferuara të botës, ashtu si dhe “Napoleon”. Por është dhe “Royer”, “Remy-Martin”, etj.

Duke ndjekur rrjedhën e lumit Charente, drejt Rochfort, e pamundur mos të ndalosh në Cognac, në këtë qytet ku kisha ardhur për herë të parë kur fillova karrirën diplomatike në Francë dhe kur duhej të mbaja një konferencë rreth Shqipërisë. Gjatë një vizite në fabrikën e konjakut, më dhuran një shishe të bukur kristali me konjak “Napoleon”, por tundimi nuk më la ta mbaja si koleksion. Dhe kënaqësia ishte padyshim e veçantë.

Në hyrjen e kështjellës së Cognac, ku dhe ka lindur mbreti François I, është dhe një muze si dhe salloni i shitjes së konjakeve të një prej shtëpive më të vjetra prodhuese, “Otard”. Gjithçka ishte kthyer në art, ashtu si dhe në sallën e muzeut të konjakeve franceze po në këtë qytet. Dhe padyshim, para teje zbulohet një botë e tërë ngjyrash, transparencash, aromash, pasi kur blen diçka, dhe e deguston konjakun që zgjedh.

Kjo na ndodhi gjatë udhëtimit në një fshat buzë lumit, në Landar, ku që nga bregu, fare afër, dukeshin pankartat e punishtes dhe kazanët e mëdhenj të specialistit Babinot. Të hysh në mjediset e prodhimit të një artisani është padyshim një kënaqësi e veçantë, pasi ai ka kohë të të flasë për prodhimin e “Pineau”-së, një lloj likeri i alkolizuar si dhe për konjakët që konservon.

Ka shishe që janë ruajtur 5 vjet, të tjera, 10 vjet, dhe të fundit 25 vjet e më shumë… e sigurisht sa më shumë kanë kaluar vitet, aq më i shtrenjtë është konjaku. Vështroja këto punishte artizanësh dhe mëndja më rrinte gjithnjë tek konjaku i dikurshëm “Skenderbeu”, i famshëm në vendet e Europës Lindore në vitet 1960-1990, por jo aq në vëndet perëndimore, dhe kjo për mungesë eksperience si dhe mjetesh prodhuese, laboratorësh, etj. Ndoshta prodhuesit e verës do ti kthehen një ditë dhe distilimit të alkooleve të llojit të konjakut dhe ne do të kemi një pije me emër dhe konkuruese në tregun botëror…


Comments are closed.