Kush është modelja shqiptare që kandidon në zgjedhjet në Itali (Foto)

Në shtetin italian shqiptarët janë përfshirë shumë më tepër në politikë, duke kryesuar gjithashtu në listat e zgjedhjeve që do të mbahen më 26 maj. Në këto zgjedhje në Itali numërohen plot 100 kandidatë me origjinë shqiptare të regjistruar, por ka pasur edhe kritika ndaj tyre.

Casale Monferrato është një qytet i vogël në Piemonte me 33.727 banorë. Është komuna e dytë më e populluar në provincë, pas kryeqytetit. Në këtë komunë përveç Nada Zhitit, janë regjistruar si kandidatë edhe dy shqiptarë të tjerë, Ferdinant Kasa dhe Armando Zotaj.

Nada Zhiti është modelja shqiptare nga Durrësi, e cila në moshë të vogël ka emigruar drejt Italisë Veriore, aty ku dhe jeton sot. Ajo ka kryer studimet për avokate dhe ka punuar si e tillë.

Në një intervistë për mediat italiane Nada është shprehur se vendimin për të t’u bërë avokate e mori pas përfundimit të shkollës së mesme, me dëshirën për të përdorur aftësitë e saj bindëse, për të mbrojtur të drejtat dhe njerëzit që e gjejnë veten në kushte jo të mira për shkaqe të ndryshme.

E pyetur për origjinën e saj shqiptare Nada shprehet: “Shqipëria për mua është një komb i bukur dhe interesant që ende nuk ka shprehur potencialin e plotë. Ka peizazhe të bukura dhe ka një histori të pasur të kulturës për t’u zbuluar. Unë jetoj në Italinë veriore dhe nganjëherë më mungon klima e Shqipërisë.”

Modelja shqiptare rrëfeu arsyen pse vendosi të kandidojë në zgjedhjet në shtetin italian në partinë që vepron brenda qendrës së majtë “Progressisti per Casale”.

“Propozimi dhe qëllimi im është krijimi i një modeli social të qëndrueshëm që di të mbledhë dhe të zgjidhë kërkesat e njerëzve. Në idenë time për një parti të vëmendshme ndaj nevojave të njerëzve, çështje të tilla si puna dhe mjedisi nuk mund të mungojnë.”

 









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.