Holanda na ktheu vizat – Top Story në Roterdam: Deputeti nismëtar “adhuron” Rusinë!

Top Story udhëtoi në Roterdam, në qytetin më të madh port në jug të Holandës, aty ku një parti lokale pretendon se ishte e para që propozoi rivendosjen e vizave për shqiptarët.

“Po, partia ime e ka bërë kërkesën për rikthimin e vizave ndaj shqiptarëve që tre vite më parë. Sepse mund të kontrollojmë njerëzit, mund të dimë se cilët njerëz vijnë nga Shqipëria. Dhe e dimë se kur dalin nga vendi. Ka më shumë kontroll”, Michel Van Elck, Këshilltar Bashkiak, Rotterdam.

Michel Van Elck, është anëtar i Këshillit Bashkiak dhe përfaqëson Leefbar Rotterdam, një parti tashmë jashtë parlamentit. Dikur kjo parti i përkiste një koalicioni ultranacionalist të ekstremit të djathtë me politikë të qartë kundër emigrantëve.

Në fakt mbështetja për partitë populiste kundër emigracionit është rritur ndjeshëm vitet e fundit në Holandë dhe kjo u bë e qartë me fitoren e Forumit për Demokraci në zgjedhjet e marsit të këtij viti për Senatin, Dhomën e lartë të parlamentit holandez.

Lideri pompoz i kësaj partie Thierry Baudet kundërshton euron, kërkon marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe ka kërkuar që Holanda të braktisë BE-në.

Holanda ka një traditë liderësh populistë që prej Pim Fortuyn, ish-lideri i ekstremit të djathtë që u vra në vitin 2002. Ishte pikërisht ai që krijoi Leefbar Netherlands, partinë mëmë të Leefbar Rotterdam, politikani i së cilës nuk e mohon aspak se nuk duan që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.

“Shqiptarët kanë probleme me drogën, me kokainën, me pastrimin e parave dhe me kërkesat për azil. Njerëzit në Shqipëri janë të sigurt, ndaj s’kanë arsye. Ka shumë probleme me shqiptarët. Ka shumë probleme dhe në Shqipëri. Nuk duam në këtë çast që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”, Michel Van Elck, Këshilltar Bashkiak, Rotterdam.









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.