Fshehtësitë e një darke publike

Nga Fadil LEPAJA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Vuçiç gjatë takimit të BRDO Brijunit në Tiranë

Në fakt, ishte drekë. Vështirë se mund të flitet edhe për fshehtësi në Ballkan. Por, si raportojnë mediat tona të (pa)varura, Presidenti i Kosovës, refuzoi të marrë pjesë në një drekë publike me Vuçiç, Dodik dhe presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, në Tiranë. Kjo ka krijuar konfuzion te (b)analistët e shumtë rreth Ballkanit. Me kë përtoi të shtrëngojë duart e tij të “pastra”, presidenti? Me Vuçiç? Me Presidentin Meta? Apo me Dodik? Fundja me kë nuk i shtrëngoi duart, ai?

Nëse puna e Loredanës, e cila disa ditë e konkuroi edhe Presidentin, për publicitetin e fituar, ka mbetur ende në mjegull, dhe nuk dihet se si do të përfundojë, puna e Edit, Vuçiçit, dhe Hashimit, është qartësuar tashmë. Është e qartë se e kanë mashtruar publikun, thonë kundërshtarët e tyre. Kanë negociuar tinëz. Përderisa për “pastërtinë” e reperes, tashmë të famshme, doli garant avokati i saj, për presidentin, askush nuk i futë duart në zjarr.

Puna e ndryshimit të kufijve ka marrë fund, pajtohen të gjithë përderisa kancelaria gjermane i ka marrë frerët në duart e veta. Disa janë në gëzim e disa të pikëlluar, duke e përmendur krejt jashtë konteksti, Amerikën.



Sille kah te sjellësh, ata gjithnjë kthehen të (pa)penduar, në “skenën e krimit”. I nxjerr për dritare, ata futen për dere dhe anasjelltas. Flitet për futboll, apo për muzikë, ata përmendin kufijtë. Përndryshe, ata dyshohen për mashtrime përmasash e shumash, shumë më të mëdha, sesa ato të Loredanës, dhe vështirë të thuhet se cila palë do ofendohej për faktin se janë futur (pa)natyrshëm në këtë shkrim.

E përbashkëta është se mediat e shpërlajnë gojën me emrin e tyre. Përderisa e para kishte vetëm disa ditë të lavdisë, “reperët” tonë politik, me vite e përballojnë stoikisht gjithë këtë publicitet, kryesisht duke i krijuar dhe qenë në qendër të krizave dhe dyshimeve kriminale.

Në fakt, kjo puna e kufijve i ka shuar të gjitha dyshimet e tjera publike, për ‘ta. Çfarëdo që mund të kenë bërë, u qoftë falë, thonë qytetarët e shqetësuar, vetëm nëse nuk na shesin. Oligarkët tonë, munden edhe me na shitë, me gjithë tokën, si bëhej zakonisht në mesjetë. Ashtu si u “shitën” edhe punëtorët me kompanitë të privatizuara. Ata që mbetën, pa asgjë, morën rrugët e Evropës.

Por lojërat e zjarrit, në Ballkan, mund të marrin formën e çfarëdo krize, qoftë ndëretnike , ndër religjioze, apo lufte mes bandave lokale politike, por gjithsesi loja e tmerrit fillon veç me kufijtë.

Tash, e kuptuat se Loredanën e përmenda krejt jashtë kontekstit, veç për klikime. Për të u klikuar një shkrim sot, duhet të përmbajë gjithqysh pak dyshime për krim, pak bukuri dhe joshje femërore dhe do të pajtoheni se Mogherini, e këta të tre, tashmë nuk e sigurojnë këtë.

Publiciteti dhe simpatia publike tashmë nuk fitohet duke buzëqeshur dhe duke qenë i mirë, apo veç i/e bukur, por duke qenë i dyshuar për krim. Krimi ka fuqi, ka para, ata janë heronjtë e këtij shekulli në Ballkan, ata janë edhe pushteti, sovrani jo vetëm në lagjet tona kuq e zi, por edhe kudo ku fluturojnë shqiponjat, të zeza apo të bardha qofshin ato. Madje edhe aty ku nuk fluturojnë fare shqiponjat…veç Ballkan të jetë.

Puna e kufijve, ishte dhe mbeti, pra, në qendër të vëmendjes, edhe kësaj radhe në samitin, në Tiranë. Kështu çdo samit i dështuar, mund të quhet i suksesshëm nëse ndonjëra palë ka arritur të bllokojë tjetrën në diçka.

E në Evropë, ka filluar gara. Të merresh me Kosovën, për një politikan, është përfitim. Ashtu si kishte dikur garë në Serbi, për të u bërë polic në Kosovë, ashtu tash po shtyhen për të ndërmjetësuar, në këtë konflikt për të cilin shpresojnë të jetë sa më i gjatë. Sapo përmendet Vucic dhe Thaçi, elektrizohet skena e … politikës. Ec e mos lakmo ndërmjetësimin!

Kështu, fshehtësitë e darkave publike, ndër ne, mbeten më të mëdha se ato të darkës së fshehtë biblike. Mbetet e paqartë, përse presidenti nuk do të ua shtrij dorën Vuçiç dhe Dodik? Përderisa me presidentin serb e kemi parë më shpesh se me këdo tjetër, sa u shfaqën dyshime serioze për (ar)miqësinë e tyre, çfarë problemi paraqet shtrëngimi i duarve me Dodik, njeriun e Vuçiç në Bosnje? Rama-Thaçi, Vuçiç-Dodik, u takuan në qifte përpara këtij samiti. Rama edhe në samit shtrëngoi duart me të gjithë, sikurse edhe Meta. Veç Presidenti kosovar, nuk …!

Dikush mund të mendojë se në lojën me kufijtë, edhe Republika Srpska, mund të jetë në tryezë? Kështu mund të ketë menduar edhe , Lëvizja “Vetvendosje” e cila i shpalli “Persona… p’e dini”!

Cilat janë fshehtësitë e drekës publike, në të cilën Presidenti e anuloi pjesëmarrjen? Hajde (b)analizoni pak…!

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.