Nga Tirana në Washington, historia e Elianës që tani punon në Departamentin e Thesarit

Eliana Tahiri është vetëm 25 vjeçe dhe falë këmbënguljes dhe vullnetit që e karakterizon, ajo sot është pjesë e Bankës Botërore, në zyrat qendrore në Washington, konkretisht në Departamentin e Thesarit.

Rrugëtimi i Elianës ka nisur fill pas përfundimit të studimeve të larta në Tiranë për tu shpërngulur me studime në Francë, aty ku dhe u rrit profesionalisht falë eksperiencave të punës në sistemin bankar, por edhe në ambasadën shqiptare.

Studentja shqiptare me rezultatet e shkëlqyera, e cila tashmë është ndër të shumtët shqiptarë që punojnë në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, rrëfen për fillimet dhe jetën e saj në Washington.

-Kush është Eliana Tahiri…

Në Janar të këtij viti unë mbusha 25 vjeç. Jam rritur në Tiranë, ku dhe kam kryer arsimin fillor në shkollën “Emin Duraku” dhe atë të mesëm në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Më ka pëlqyer gjithmonë matematika, megjithatë vendosa të vazhdoj studimet e larta në fushën e Financës, tek Fakulteti i Ekonomisë nisur dhe nga fakti që tregu i punës për matematicienë në vendin tonë është i kufizuar.

Përtej matematikës kam mësuar pianon për disa vite si dhe kam ndjekur kurse të dansit sportiv, gjuhëve angleze dhe franceze.

-Pas studimeve në Shqipëri ju jeni zhvendosur në Francë. Pse zgjodhët këtë shtet?

Ishte një zgjedhje komplekse. Programi master që zgjodha, “Modelizimi Matematik në Financë dhe Ekonomiks” në Universitetin e Sorbonne-s, ofrohej në anglisht dhe kishte një kosto të përballueshme, për më tepër përfitova dhe bursën “Sorbonne”.

Pavarësisht këtij lehtësimi financiar, përballimi i kostos së jetesës kërkonte sakrifica nga unë dhe nga mamaja ime, por që në fund ia kemi dalë mbanë për çdo gjë. Këtë program e gjeta mbas shumë kërkimeve online, në faqjen e Këshillit të Europës. Fakti që kisha njohuri në frengjisht, më ndihmoi më tepër në zgjedhjen time. Gjithçka nisi nga një kërkim i thjeshtë, regjistrimi në shkollë e më pas zhvendosja ime në Francë, ku dhe studiova dhe jetova për dy vite.

Cili ka qenë rrugëtimi juaj në Francë dhe sa e vështirë ka qenë për një studente nga Shqipëria të arrijë rezultate të shkëlqyera?

Fillimi ishte tepër i vështirë, sepse programi që unë kisha zgjedhur të studioja “Modelizimi Matematik në Financë dhe Ekonomiks” ishte i drejtuar për studentë të fushës së matematikës dhe statistikës.

Për këtë arsye, më duhej të lexoja libra shtesë të këtyre dy fushave edhe në nivelin bachelor në Francë. Gjatë këtij viti, krahas studimeve, bëra një internship në Ambasadën e Shqipërisë në Paris, i cili më ndihmoi në integrimin tim në këtë vend.

Menaxhimi i kohës dhe i ngarkesës ishte sfidues, megjithatë ia arrita të diplomohem me rezultate shumë të mira. Këto rezultate me nxitën të mendoj: “Pse jo, mund të vazhdoj studimet matematikë e aplikuar në inxhinieri financiare!”. Ndaj vendosa të aplikoj në École Polytechnique. Ky program konsistonte në aplikimin e metodave të fizikës, inxhinierisë, matematikës dhe programimit në financë, pra në përgatitjen e studentëve në analistë kuantitative në research apo si profesionistë.

Pavarësisht vështirësisë së programit, mënyra e mësimdhënies së pedagogëve të mi në këto universitete ishte mjaft motivuese për të vazhduar para.

Gjatë periudhës që studiuat në Francë ju keni qenë gjithmonë në kërkim të një pune që keni ëndërruar dhe besonit fort se një ditë do t’ia arrinit. Si ratë në kontakt me Bankën Botërore, ku dhe aktualisht punoni?

Dëshira ime ka qenë të punoja si një profesioniste e zonja në fushën ku unë studioja. Mbas vitit të parë të studimeve, bëra një internship në zyrat qendrore të “Société Générale” në Paris, në Departamentin Cross-Asset Research; ndërsa mbas vitit të dytë, bëra një internship në zyrat qendrorë të BNP Paribas, në Departamentin Asset-Liability Management Treasury.

Gjatë kësaj kohe, kërkoja mundësi për të punuar si analiste kuantitative në departamente research në bankë.

Aplikova tek Ëorld Bank Group Analyst Program dhe mbas disa fazash seleksionimi, u përzgjodha si konsulentë nga ekipi i research-it kuantitativ tek Departamenti i Thesarit i Bankës Botërore në zyrat qendrore në Ëashington. Pas disa muajsh , u krijua mundësia për të aplikuar si staf i brendshëm në të njëjtin ekip në pozicionin e analistes, ku dhe u përzgjodha. Besoj se vendosmëria, disiplina dhe marrja përsipër e shumë projekteve njëkohësisht ndihmuan në përzgjedhjen time. Ishte gjithashtu fat hapja e një vendi pune që më përshtatej, brenda ekipit tim, vetëm pas pak muajsh mbasi kisha nisur punë.

A ka shqiptarë të tjerë që punojnë në Bankën Botërore?

Po, ka shumë dhe janë njerëz mjaft të përgatitur. Kemi krijuar një rrjet komunikimi midis nesh, flasim dhe dalim shpesh për takime miqësore herë pas herë.

Si është një ditë pune për ju?

Puna fillon rreth orës 9 të mëngjesit dhe mund të përfundojë rreth orës 7 të darkës, në varësi të ngarkesës. Bashkëpunimi me klientët tanë, të qenit në çdo moment i informuar mbi tregun financiar, të pasurit mundësi për të bërë research dhe për të propozuar ide të reja sidomos në fushën e Fintech janë mjaft motivuese. Materializimi i financimeve të Thesarit në projekte sociale apo klimaterike, ndërtimi i tregjeve të reja, apo përfshirja financiare, pra “financial inclusion” janë ndër objektivat më të rëndësishme të ekipit ku unë punoj.

Po jashtë punës, si është jeta juaj në Washington?

I pari dhe i fundit veprim që bëj sapo zgjohem në mëngjes apo shtrihem në darkë është flas me nënën time! Duke qenë se familja ime është larg dhe jetoj vetëm, përfshihem shpesh tek aktivitetet e Ambasadës së Shqipërisë dhe Francës në Washington.

Washingtoni është një qytet me histori, kulturë dhe arkitekturë. Për shkak të numrit të madh të institucioneve politike amerikane dhe ndërkombëtare, është mjaft dinamik gjatë ditëve të javës, por i qetë në fundjavë. Më pëlqen shumë të vizitoj muzetë Smithsonian gjatë fundjavës, Kennedy Center for Performing Arts si dhe shëtitjet apo darkat me miqtë.

Ju ktheheni rrallë në Shqipëri, çfarë iu tërheq më shumë dhe çfarë do mendonit se duhet ndryshuar këtu?

Sa herë udhëtoj për në Shqipëri, shoh një rritje të numrit të turistëve që udhëtojnë në avion me mua! Ndihem shumë mirë për këtë, sidomos dhe kur lexoj materiale në gazeta apo revista prestigjioze, të cilat promovojnë turizmin ë huaj në vendin tonë. Për sa i përket ndryshimeve që duhen bërë, unë nuk jam politikane, ndaj i vetmi mendim që mund të ndaj është që dashuria për këtë vend dhe për njeri-tjetrin duhet të na udhëheqë në çdo gjë që bëjmë.

Dhe për ta mbyllur, një mesazh për të rinjtë që aspirojnë të bëhen dikushi në jetë.

“Arsimi është arma më e fuqishme, të cilën ju mund ta përdorni për të ndryshuar botën” – Nelson Mandela.









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.