Anri Sala, sërish në Bienalen e Venecias

Artisti i njohur shqiptar Anri Sala është pjesë e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias. Vepra e tij “1395 days without red” (2011), është pjesë e ekspozitës “Luogo e Segni”, e hapur në nga hapësirat më interesante në Venecias, në Palazzo Grassi në Punta della Dogana. Një ekspozitë që sipas “arte.it”, “bën bashkë 36 artistë, veprat e të cilit kanë një raport të veçantë me kontekstin e tyre urban, social, politik, historik, intelektual. Sala ka përfaqësuar Francën në Venecia më vitin 2013. Sala ka qenë i pranishëm dhe në ceremoninë zyrtare të hapjes së pavionit shqiptar në Venecia, i cili këtë vit përfaqësohet nga artisti Driant Zeneli.

“Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, quhet videoinstalacioni i Zenelit, nën kurimin e Alicia Knock. E pranishme në ceremoni ishte dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. “Ju falenderoj që jeni këtu për të mbështetur të bukurën që arti shqiptar krijon dhe e përfaqëson në këtë paradë të artit botëror.

Jam e kënaqur që përfaqësohemi me Driantin, një i ri energjik, një talent i zbuluar prej kohësh, I përkushtuar ndaj artit të tij, që po na mirëpërfaqëson në këtë ngjarje, çka po e dëshmojnë dhe shkrimet e shumta të mediave të huaja. I bashkohemi kësaj bienaleje me një thyerje dimensionesh, duke sjellë histori të vogla, nga qytete të vogla e duke i kthyer në art bashkëkohor dhe në dimensionin e së bukurës. Jemi të ndërgjegjshëm që arti I tij sjell edhe një polemikë, mbi të cilën do të doja të reflektonim dhe të diskutonim”, tha Margariti.





Kuratorja Alicia Knock u shpreh se vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet. “Vepra e Driantit flet për një realitet specifik të Shqipërisë, të Bulqizës, të kromit, që udhëton nga zemra e malit drejt kozmosit”, thotë Knock, teksa përshkruan një udhëtim gjeopolitik, ekonomik, industrial, në veprën e Zenelit.

“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, u shpreh artisti Driant Zeneli. Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë artistët të tjerë si Adrian Paci, Edi Muka, Alban Muja, Anila Rubiku, etj.

Kuratori Edi Muka vlerësoi metaforën e përdorur nga Zeneli, për të lidhur nëntokësoren me mbitokësore. Artisti Anri Sala u ndal tek mënyra se si është lidhur tema e zgjedhur nga Zeneli me temën e përgjithshme të Bienales, me shqetësimet dhe problemet që trajton ky edicion, por dhe përpjekjen për të gjetur alternative të tjera. Artisti Adrian Paci e quan një gjetje konceptin e veprës së Driant Zenelit, që lidh realitetin me fantazinë, nëntokën e Shqipërisë me kozmosin. Përfaqësuesi i Kosovës në Bienalen e Venecias, Alban Muja vlerësoi jo vetëm konceptin e veprës, por edhe instalimin e pavijonit.

“You Live In Interesting Times”, është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”, si këto që po jetojmë. Ky edicion kurohet nga Ralph Rugoff, nën presidencën e Paolo Baratta-s. Sipas Rugoff, “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”. Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, të vendosur në Giardini e Arsenale. Ndërsa 21 ngjarje kolaterale zhvillohen nëpër Venecia.





Comments are closed.