City fiton titullin, Liverpool mbetet me “gisht në gojë” (Video)

Manchester City ia doli të mbrojë titullin kampion në Premier League, pasi mori një fitore 1-4 në javën e fundit të kampionatit, që u luajt në transfertë ndaj Brightonit dhe mbylli sezonin në krye të tabelës së renditjes, me plot 98 pikë.

Gara për titullin kampion këtë sezon ka qenë e jashtëzakonshme, me Manchester Cityn dhe Liverpoolin, që kanë ndërruar me dhjetëra herë vendet në krye të tabelës së renditjes, por në fund triumfatorët ishin “qytetarët”, ndërsa “The reds” duhet të presin sezonin e ri, për të provuar përsëri.

Në javën e fundit, Manchester Cityt i mjaftonte fitorja, për të nisur festën, por gjerat nuk nisën aspak mirë, pasi Brighton kaloi në avantazh në minutën e 27’, pas golit të Murray.



Megjithatë reagimi i të besuarve të Guardiolës ishte i menjëhershëm, pasi në minutën e 28’ Aguero dhe në të 38-ën Laporte, sollën avantazhin. Në pjesën e dytë, ishin Mahrez dhe Gundogan që shënuan dy gola të tjerë për Manchester Cityn, duke vulosur suksesin, ndërsa fitorja e Liverpoolit, 2-0 ndaj Wolvesit shërbeu vetëm për ta bërë më interesante këtë garë.

Titulli kampion ishte i vetmi verdikt që kishte mbetur pa u dhënë në javën e fundit të Premier Leagues, pasi zona Champions ishte përcaktuar më herët, ku përveç Cityt dhe Liverpoolit, do të marrin pjesë edhe Chelsea e Tottenham, që e mbyllën sezonin në vendin e tretë dhe të katërt.

Në Europa League do të shkojnë Arsenali, që e mbylli sezonin i pesti dhe Manchester United, që nuk shkoi më shumë se vendi i gjashtë. Sa i përket zonës së rënies, një kategori më poshtë do të shkojnë Cardiffi, Fulhami dhe Huddersfieldi.

Më poshtë tabela e rezultateve të javës së 38 dhe të fundit të Premier Leagues:
Brighton – Manchester City 1-4
Burnley – Arsenal 1-2
Crystal Palace – Bournemouth 5-3
Fulham – Newcastle 0-4
Leicester – Chelsea 0-0
Liverpool – Wolves 2-0
Manchester United – Cardiff 0-2
Southampton – Huddersfield 1-1
Tottenham – Everton 2-2
Watford – West Ham 1-4


Comments are closed.