Giger, piktori që krijoi monstrat

Shanset janë qё H.R. Giger ju ka dhuruar një makth. Piktori i lindur në Zvicër ishte përgjegjës për krijimin e një prej monstrave më ikonik në historinë e imagjinatës njerëzore: xenomorfi, speciet e pahijshme aliene që orvaten në qendër të franchise-it Alien. Nëse nuk e njihni xenomorph-in nё sajё tё emrit, ju e identifikoni atë nga pamja: krejt i zi, koka vezake dhe e stёrgjatё; dhëmbët lёshuar si stalaktite; trupi i lëmuar, i dallueshëm dhe me njё aspekt çuditërisht njerëzor. Xenomorfi është si jetёzimi i Saturnit tё Francisco Goya’s nё veprёn “Saturni gllabёron birin e tij”, por nё trajtёn një alieni tё ardhur nga mё tё largёtat e tё dëshpëruarat qoshe tё hapsirёs.

Hans Ruedi Giger është mё sё shumti i njohur për formësimin e identitetit vizual të Alienit, i cili këtë muaj mbush 40 vjet nga krijimi. Vizioni i tij unik vazhdon të frymëzojë, madje pesë vjet pas vdekjes së tij – siç dëshmohet edhe nga studentët e tij, prodhimi i të cilëve Alien: Shfaqjq Teatrlae u bё viral në internet pak muaj mё parё. Por puna e Giger-it si një artist vizual shtrihet përtej franchis-it fantastikoshkencor, duke kombinuar tmerrin dhe groteskun e mikluar tёrheqjen tonë të pafundme drejt gjërave që na frikësojnë më së shumti.

Praktika e artit të Giger u formua nga një magjepsja e hershme ndaj “kafkave, mumjeve dhe gjërave të kёtij lloji”, siç tha ai në vitin 2009, si dhe nga frikërat e fëmijërisë. I lindur në vitin 1940 në Chur të Zvicrës, ai filloi të skicojё dhe të vizatojё kur ishte njё djalosh në mënyrë që të kanalizonte frikën e tij shkaktuar nga ankthet e përsëritura dhe ëndrrat e çuditshme. “Ai vazhdimisht ka folur për këtë,” tha Andreas Hirsch, i cili e ka kuruar ekspozitёn e vitit 2011 “H.R. Giger Träume und Visionen “(përkthyer si H.R Giger Ëndrra dhe Vizione) në Kunst Haus Wien në Vjenë dhe u bë mik i artistit.

Sipas Hirsch, shtëpia e familjes Giger në Çur nxiti ankthet e tij. “[Ai] kujtoi dritare të hapura që shihnin drejt rrugicash tё errëta, bodrumet e asaj ndërtese tё vjetër që i ngjalli frikё në moshё tё njomё,” tha ai. “Këto frikëra u puqёn me magjepsjen e tij të hershme ndaj këtyre subjekteve.” Giger gjithashtu përmendi rritjen në Zvicër gjatë Luftës së Dytë Botërore, në afërsi të Gjermanisë naziste, si burim për aspektin e errёt të punës sё tij. Ndërsa ai i tha pёr Vice në vitin 2011: “Unë mund të ndjeja atmosferën e frikёs tek prindërit e mi. Llambat ndriçonin gjithnjë me njё blu tё errur, kështu u shpёtonim syrit tё avionëve bombardues.” Ndërkohё qё Giger u bё madhor gjatë Luftës së Ftohtë, kërcënimet e luftës atomike u shfaqёn.”Ai reagoi ndaj saj duke krijuar vizionet që nё njё farё mёnyre i transformuan ato frikëra, por pa paralajmëruar një fund të lumtur, gjithsesi një mënyrë artistike që e bёn fundin mё pak tmerrues”, tha Hirsch. Giger arriti gjithashtu të fitojë vëmendjen e një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit të 20-të: Salvador Dalí. Dalí, i cili Giger e citoi si një ndikim, u prezantua me punën e tij nëpërmjet një miku të përbashkët, piktorit amerikan Robert Venosa.

Ishte Dalí i cili paraqiti punën e Giger tek regjisori kilian Alejandro Jodorowsky, kur ky i fundit po shpresonte të bashkëpunonte me surrealistin e famshëm në përshtatjen e tij ambicioze të romanit klasik fantashkencё të Frank Herbert, Dune (1965). Jodorowsky i kërkoi Gigerit të ndihmonte si piktor filmi, për konceptimin vizual tё Dune, por kur projekti ngeci, shkёlqimi i Giger-it në botën e filmit u shua përkohësisht.

Më pas, në vitin 1977, Giger publikoi Necronomicon, koleksioni i parë i madh i vizatimeve të tij, që sot konsiderohet të jetë prodhimi i tij i dytë më me ndikim pranë Alienit. Titulli, një referencë për një libër magjie nga bota e shkrimtarit horror H.P. Lovecraft, përcakton tonin për imazhet që janë ende befasuese sot: mekanizma tё ҫuditshёm e difektozё pështillen rreth shtyllash tё larta; qeniet alinenë skeletore vëzhgojnë mes djerrinash tё mjegullta; trupa tё gjymtuar ngërthehen me makineri ogurzeza.

Të gjitha vizatimet janë të balancuara mes toneve tё përhimëta tё fantazmave – kujto ngjyrёn e dritës së hënës pleksur me atё tё betonit dhe dritëhijeve, që shërbejnë herё pas here si parapritё drejt errësirash tё humnershme. Nga shumë citime, përvoja e Gigerit me Alien ishte pozitive, por niveli i tij i ri i famës e bënte më të vështirë për të që të zgjedhte se cilat projekte do të vlenin kohën dhe talentin e tij si artist. Ai vazhdoi punën e tij në film, duke kontribuar me dizajnet për Poltergeist II (1986), Species (1995) dhe Batman Forever (1995), por shpesh krijoi punë për filma që shkuan të papërdorura ose për projekte që s’u nisёn kurrё. Kështu Giger gjeti mënyra të reja për të ndjekur dhe paraqitur punën e tij.

Tobias Xhaxhiu









Comments are closed.