“Shpresoj të mos na duhet ta përdorim forcën tonë”, Serbia provokon me paradë ushtarake mes tensioneve me Kosovën (VIDEO)

Serbia zhvilloi në qytetin e Nishit një paradë ushtarake, ku u treguan edhe armatime të reja e pajisje artilerie të dhuruara nga Rusia. Për presidentin Aleksandar Vuçiç, kjo paradë ishte një demonstrim i progresit që ka arritur vendi i tij dhe sa është fuqizuar ai.

Por, ngjarja e mbajtur në Ditën e Fitores në Serbi është përshkruar nga “Ëashington Post” si tregues i forcimit të aleancës së Serbisë me Rusinë, e demonstrim force ndaj Kosovës në kohën kur mes dy shteteve ka tensione.

“Serbia mbajti një paradë ushtarake për të shënuar Ditën e Fitores, mposhtjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, në atë që ishte një demonstrim i qartë force në mesin e rritjes së tensioneve me Kosovën. Parada në qytetin jugor të Nishit përfshinte 4.000 trupa, 300 mjete ushtarake dhe 40 avionë, përfshirë dy helikopterë rusë, të cilët kishin në bord ekuipazh rus. Një shpalosje kjo e aleancës në rritje politike dhe ushtarake me Moskën”, shkruante “Ëashington Post”.

“Shpresoj që nuk do të na duhet ta përdorim forcën tonë ushtarake kundër dikujt”, citohet të ketë thënë Vuçiç. E gjithë kjo, sipas tij duhet të shërbejë më së pari si frikësim për agresorët.

“The Post” thekson në artikullin e tij se, çdo ndërhyrje ushtarake e Serbisë në Kosovë do të shkaktonte një përplasje të drejtpërdrejtë me paqeruajtësit e NATO-s të stacionuar atje. Sipas disa mediave kosovare, Serbia është vendi që ka investuar në ushtri më shumë sesa të gjitha vendet e Ballkanit së bashku, duke investuar gati 700 milionë dollarë vetëm për forcimin e sektorit ushtarak.









Comments are closed.