Plan për të vrarë kryeministrin dhe pushtuar parlamentin, dënohen puçistët pro-rusë në Mal të Zi

Gjykata e Lartë në Mal të Zi ka dënuar 14 persona për përpjekje për të rrëzuar dhunshëm Qeverinë malazeze në vitin 2016. Të dënuarit janë dy udhëheqës të partisë opozitare malazeze Fronti Demokratik, një shtetas tjetër malazez, nëntë shtetas të Serbisë dhe dy oficerë të dyshuar të inteligjencës ushtarake ruse.

Dy shtetasit rus, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të cilët dyshohet të jenë agjentë sekretë të inteligjencës ushtarake ruse, u gjykuan në mungesë. Ata morën edhe dënimin më të rëndë, 15 dhe 12 vite burg, respektivisht.

Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç dhe Millan Knezheviç, u dënuan me nga pesë vjet.

Nga nëntë shtetasit e Serbisë, të dënuar për përpjekjen për puç, dënimi më i rëndë u shpall kundër Branisllav Dikiçit, ish-gjeneral i policisë serbe, i cili u dënua me tetë vjet në burg.

Predrag Bogiqeviç dhe Nemanja Ristiç, të dy anëtarë të grupeve ultranacionaliste serbe, u dënuan me nga shtatë vjet.

Branka Milliç, e cila u arratis në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë në fund të vitit 2018, mori një dënim trevjeçar; Dragan Maksi u dënua me 21 muaj, Srbolub Gjorgjeviç u dënua me 18 muaj dhe Kristina Hristiç u dënua me kusht.

Gjykata e Lartë e Malit të Zi konstatoi se grupi ka bërë komplot për të pushtuar Parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqësi pro-ruse.

Kryetarja e gjykatës, Suzana Mugosha, tha se të gjithë të pandehurit kishin detyra që synonin rrëzimin me forcë të Qeverisë malazeze dhe shpalljen e Frontit Demokratik fitues të zgjedhjeve, me qëllim pengimin e Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO.

Gjykata konstatoi se Mandiç dhe Knezheviç kishin për detyrë të rekrutonin njerëz dhe të përgatisnin një protestë përpara parlamentit, me qëllim të sulmimit të legjislaturës.

Mugosha po ashtu tha se dëshmitë treguan se Knezheviç ka qenë i ngarkuar edhe me përcjelljen e mesazheve tek anëtarët e një organizate kriminale jashtë vendit.

Kremlini ka mohuar se “mekanizmat shtetërorë rusë” kanë qenë të përfshirë.

Mali i Zi, në qershor të vitit 2017, është bërë vendi i 29-të anëtar i NATO-s, një hap që është kritikuar fuqishëm nga Moska dhe është kundërshtuar nga disa malazezë që mbështesin lidhje më të afërta me Rusinë.

Përpara vendimeve të 9 majit, Fronti Demokratik paralajmëroi se dënimi i liderëve të tij, Mandiç dhe Knezheviç, do të rrezikonte “destabilizimin e pakthyeshëm të Malit të Zi”.

Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, Aida Muzuroviç tha se pas marrjes së aktgjykimit në formë të shkruar, avokatët mbrojtës kanë 15 ditë kohë për të apeluar vendimin.









Comments are closed.