“Pashë gjakun që më rridhte nga këmba”, flet i plagosuri në Vlorë (Foto)

Një përplasje me armë zjarri u shënua paraditen e sotme në Vlorë, ku për pasojë një kalimtar i rastit mbeti i plagosur.

Bëhet fjalë për Dajko Cenodemaj, i cili u kap nga plumbat teksa ishte duke pirë kafe me tre shokët e tij.

I dëmtuari tha për mediat teksa doli nga spitali se mendoi se ishin fishekzjarre kur dëgjoi të shtënat, “Por pamë që po qëllohej me armë nga të dyja anët dhe u futëm brenda. Aty pashë që këmba po më rridhte gjak”.





Po ashtu Cenodemaj tregon se njëri plumb i kaloi pranë veshit, por më tej e mori një shok me makinë dhe e dërgoi në spital.

“Po pija kafe me tre shokë. Dëgjuam të shtënat përballë nesh. Ne thamë se ishin fishekzjarrë, kur e pamë që ishin armë, qëlloheshin nga të dyja krahët. Edhe nga fuoristrada, edhe ata të tjerët, pastaj po vinin edhe në këmbë disa djem. U futëm të gjithë brenda. Kur u futëm brenda pash gjakun që po më rridhte nga këmbët, aty shoh që kisha marrë plumb në këmbë. Më mori një shokë me makinë me solli në spital”, shprehet Dajko Cenodemaj.

Pas ndihmës së marrë në spital, i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se pas të shtënave autorët e përplasjes me armë u larguan me mjetet e tyre në rrugicat e pallateve të zonës.

Pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë tip Land Rover e djegur në zonën e Babicës, e cila mendohet të jetë përdorur në një prej dy grupeve.

Po ashtu në zonën e Bunavisë u gjet një makinë tjetër e cila mendohet se i përket grupit tjetër.





Comments are closed.