Gojët e ministrave si laboratorë provash!

Nga Denis Dyrnjaja

 

Në vend të laboratorëve kemi si teste analizash dhe provash gojët e ministrave të bujqësisë. Sot Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi vizitoi një fermë prodhimi domatesh në Vlorë e pasi hëngri një donate foli për sigurinë e produkteve shqiptare. Të njëjtën gjë ka bërë më parë edhe paraardhësi i tij. Çuçi tha sot se prodhimet bujqësore shqiptare janë 100% të shëndetshme. E kuptoj qëllimin e tij për të ruajtur ata kultivues të ndershëm, por kjo nuk është mënyra e duhur, madje është shumë e gabuar. Së pari sepse është përgjithësuese dhe së dyti se është po aq spekulative sa edhe pretendimi se të gjitha produktet shqiptare janë me probleme.

Natyrisht që unë e besoj atë që thotë ministri se kjo kjo fermë ka një prodhim kualitativ dhe të besueshëm, por kjo nuk bën të besueshëm të gjithë prodhimin e çdo ferme të licensuar, ose jo. Pra nuk është as fjala dhe as goja e mendja e ministrit që e caktojnë këtë, por janë laboratorët që duhet të bëjnë në mënyrë të detajuar dhe periodike analizat për çdo ferme e fermer. Këta laboratorë duhet të jenë prezentë në disa pika të vendit gjë që mungon dhe aty ku janë nuk bëjnë çdo lloj analize për të mos përmendur dyshimin për analiza fiktive sikurse me gjasë ndodh në mënyre masive.

Do ishte naivitet të thuash se i gjithë prodhimi bujqësor e blegtoral është i sigurt. Me këtë strukturë të sigurisë ushqimore që ka sot Shqipëria është marrëzi të dalësh garant për çdo produkt e aq më tepër për çdo fermer. Forma të tilla propagande vetëm sa thellojnë dyshimin se po tentohet të mbulohet realiteti, që nuk është përgjegjësi e një ministri në fakt, por e një zinxhiri të gjatë hallkash e kompetencash që ose nuk ekzistojnë, ose kur ekzistojnë zbatohen sipërfaqësisht, ose nuk zbatohen fare.

Ndaj përgjithësimi i garancisë është në dëm të të gjithëve edhe të atyre që kanë prodhime brenda kritereve. Nëse ekziston vullneti për të shpëtuar fermerët e shëndetshëm, duhen luftuar spekulantët që janë shumicë dhe jo pakicë. Qetësia propagandistike vetëm sa e majis problemin dhe rrit “kulturën vrastare” të spekulantëve.

Ndaj para se të flasim për prodhimet e shëndetshme dhe të reklamojmë ato duhet të flasim e të gjejmë zgjidhje për të ndalur spekulantët, që kanë dendur tregjet me produkte kanceroze, bimore e shtazore.

Këmbanat bien për shëndetin e popullatës dhe fëmijëve tanë, ndaj veten se gënjejmë dot, aq më shumë me fjalët e një ministri që e di se vaji i palmës nuk të dëmton dhe mund të pish sa të duash.

 









Comments are closed.