Më lejo të të kërkoj ndjesë motër Zarife!

Luan RAMA

Luan RAMA

Dhembja është e rëndë mal e morti e ka pushtuar shtëpinë e Muharrem Hasanajt.
Malësori mundohet ta mbajë veten e të mos i dorëzohet gjamës, por ai nuk është gur.
E loti i dhembjes nuk merr leje as në syrin e burrit…

Ka humbur çikën e vet, Zarifen që e kishte dritën e syve!
Lajmi i kobshëm i ka ra si rrufe prej qiellit!
Vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka bërë kumtarin, dhe e ka kumtu lajmin publikisht, duke e bërë edhe më të rëndë gjamën në shtëpinë e Muharrem Hasanajt!

Pse kaq të pakujdesshëm?
A nuk mundej dikush e ndoshta edhe ai vetë si ushtaraku më i lartë të shkonte më parë në familjen e Zarifes së ndjerë, e ta çonte lajmin e kobshëm për vdekjen e saj atje në shtëpinë e saj më parë se t’a shpallte publikisht?

Kështu duhej bërë. Do të ishte më njerëzore padyshim. Dhe më dinjtoze, më e fisme. Do të ishte edhe sjellje shqiptare.
Sepse është respekt ndaj dhembjes.Më së pari ndaj dhembjes së familjes!

Respekti ndaj dhembjes në mort është i shenjtë. Për të nuk ka protokoll. Kodi i nderimit në heshtje na vjen prej shekujsh e ndër malësorët ai kod nuk ka ndryshuar kurrë si vetë vdekja!

Zarife Hasanaj është çika e Muharrem Hasanajt. E mandej, ajo është eshte vajza me uniformë në Forcat e Armatosura, është motra jonë zanë mali, që duke shërbyer në misionin e NATO-s diku larg, në dhe te huaj, humbi jetën për të mbetur në përjetësi zanë e paqes.

Po ne, pse jemi kaq të shëmtuar përballë dhembjes së familjes së Zarifes?!
Kryeministri shkroi një tekst ngushëllimi.
Për Zarifen duhej, por ishte për një emër tjetër!
Çartje?
Nuk dua ta besoj.
E di, “lapsus” do të më qortojë dikush!
Po si mundet të jetë lapsus apo gabim pa dashje?!
Eshtë pakujdesi ose mungesë vëmendjeje.
E pakujdesia a mungesa e vëmendjes në kësi rastesh, është mungesë respekti. Eshtë fyerje!

Po Kuvendin e Shqipërisë a nuk e patë se sa me shëmti e për turp u shfaq?
Kodi i heshtjes e kodi i vdekjes u nëpërkemb!
Kur që në çelje të seancës si akt të parë, në solemnitet e heshtje dhembjeje, deputetët që janë ngritur në këmbë e kanë nderuar edhe horra në atë sallë, duhej të ngriheshin e të nderonin Zarife Hasanajn, u bënë qesharakë e karagjozë që paturpësisht jo vetëm e lënduan më shumë dhembjen e familjes së Zarife Hasanajt, por bënë të vdekur edhe dy ushtarakët e tjerë të plagosur, ndërsa sorrollateshin me fjalë të pakuptimta se duhej pritur sa të vinin të gjithë deputetët e mandej të ngriheshin në këmbë për hipokrizinë e rradhës!

Çfarë shëmtie e pacak!

Ndaj mes dhembjes e lotëvë që njeriut ia lehtësojnë shpirtin, më lejo të të kërkoj ndjesë motër Zarife!
Të kërkoj ndjesë për faktin që ne jemi kaq të shëmtuar përballë teje moj fisnike – zanë e paqes dhe përballë dhembjes së mortit në familjes tënde të mirë, që sot është e të gjithëve ne!









Comments are closed.