Engjëjt në Amerikë apo engjëjt e Amerikës!? (Foto)

Oltion Kadaifçiu

Origjinali i veprës në anglisht titullohet “Angels in Amerika”, por dikush, përkthyesi ose regjisori, ose të dy bashkë, e ka sjellë si “Engjëjt e Amerikës.” Sa ndryshon kuptimi në këtë përkthim? Pse engjëjt janë tjetër kur ndodhen në Amerikë nga kur janë të Amerikës? Se pastaj regjistri i referencave e drejton të kuptuarit nga një galeri tjetër shembujsh që mbajnë kuptimet, apo pse përkatësia kombëtare e engjëllit ndalohet nga të gjitha proklamatat hyjnore? Nuk e di.

Gjithsesi bëhet fjalë për jetët e një grupi homoseksualësh, që jetojnë Nju Jorkun e viteve 1980-të e kusur 90-të, kur pasi panë rritjen e jashtëzakonshme ekonomike e dominimin e botës ushtarakisht e ekonomikisht, teknologjikisht, kulturalisht, amerikanët mund të lejonin në qendrën e perandorisë njerëzi të shtuar. Por për shkak se mënyra e seksit që praktikonin, e favorizonte përhapjen e sëmundjes u prekën mbi të tjerët dhe u ekspozuan shumë.

Edhe ndër ta njëfarë Roy Cohn, një nga flamurtarët e republikanizmit amerikan, që mbrojnë me vetëmohim parimet e së djathtës, bëjnë gjuetinë e komunistëve, mbrojnë familjen dhe denigrojnë homoseksualët dhe përfitojnë. Ai e di mirë se ç ‘është e shëndetshme për amerikanët e vërtetë dhe e çon fjalën edhe në gjykata. Ndaj, përpjekja e tij për të fshehur gjithçka është ndër të njohurat. Një aktiviste amerikane me orientim të së majtës komuniste  pas ekzekutimit për spiunazh të influencuar, në masë të madhe, nga Kohni ka lënë një fantazmë që ta shoqërojë Kohnenin në jetën e përtejme.

Ky Kohn ishte personash i vërtetë dhe në youtube gjenden debate të tij. Ishte nga ata që menaxhonin marrëdhëniet e pushtetit në Amerikë. Edhe Etel Rosemberg ishte vërtetë.

Pastaj njërin nga bashkëpunëtorët e tij të afërt në sekretarinë e gjykatës së Nju Jorkut mund ta çojë në Uashington, por ky na zbulon që qenka gjithashtu homoseksual edhe e le të shoqen, e shkon pas njërit që është ndarë nga i dashuri, që është i sëmurë me virusin e tmerrshëm, atëherë e gjithmonë, të SIDA-s. Edhe ky i fundit na qenka protagonisti i shfaqjes.

Ky është i kthjellët e hokatar sheh edhe një engjëll. Sa herë shfaqet engjëlli ky ka ereksion, e krijon një marrëdhënie intime me të. Ky ka edhe një infermier që e ka mik dhe është një dashuri platonike mes tyre. Një mirëkuptim. Ky ndihmësi i Kohn, ky djali i Uashingtonit, që është thuajse protagonist i shfaqjes për nga degëzimi që e pason, veç së shoqes që braktis ka edhe një nënë që braktis gjithçka, e vjen ti ndihë familjes së të birit, ose të paktën të shoqes së tij që e la mendja nga tronditja e braktisjes. Këta janë mormonë. Vetë Kohn është hebre.

Pjesa një sukses i madh. Ky Kushneri që e ka shkrujt, asht ba rehat sa ka prezantu veprën.

Për më tepër mund ti drejtoheni ëikipedias, që tregon për gjithfarë çmimesh e vlerash të veprës. Al Pacino i rritur ka marrë Oskar me personazhin e Kohn në një ekranizim të veprës.

Shfaqja tani.

Arben Kumbaro është në këtë lundrim artistik mu mbi bash, me timonin në njërën dorë dhe tejqyrën në dorën tjetër.  Ai hedh kovat e bollshme me bojë që do të jenë baza e tablosë së re.

Që në fillim zoti Kumbaro na prezanton me ritme të larta komunikimi. Zoti Kumbaro kur gjeti me vend që engjëjt në Amerikë të bëheshin Engjëjt e Amerikës, tregoi se do ta përdorte pak si tepër elementin e spektakolares në shfaqe. Me engjëjt e qiellit, ai nuk do të ishte përzier ashtu. Në fakt boja mbi beze ishte me zëra të lartë e seksualitet të mbi qendërzuar. Një farë parodie kish mbirë kur Zoti Kumbaro u bind se kjo ishte vepra që do të trazonte orët krijuese.

Pa u fikur fare drita, pa rënë ende i shtati minut pas shtatës, dy çifte u ndanë. Aktorët Genti Deçka e Laert Vasili në njërën anë e në tjetrën Donald Shehu dhe Ina Gjoncaj. U ndanë duke i lënë radhë njëri- tjetrit në përcjelljen e tekstit. Me njëfarë zhurmimi të lehtë në kumbim të fjalës, po zërat ishin të lartë dhe gjallëria e lëvizjes e madhe.

Pastaj u ngrit perdja dhe një flamur i kuq me drapër e çekan përfundonte si një veshje  shumë të gjerë nga ku nxirrte kokën aktorja Luiza Xhuvani (në mos po qenkërkëshëm i gabuar) me një mjekër të madhe përreth, e na mban një fjalim për atë që duhet, e që është se ne na duhet një teori të cilën ta besojmë. Mirë edhe kjo qenkërkësh e gabuar, por revolucionari do angazhuar diku se nevoja për ndryshim është e madhe dhe ndryshime po ndodhin.

Edhe këtu aftësia për tu bërë pjesë e një rrjedhe që niste tek ai fjalim ideologjik për ne spektatorët e distraktueshëm ishte e vështirë. E gjatë. Mezi mezi. Ca rr që tërhiqnin vëmendjen. Mjekra, kush është ky tani. Po kjo? Marksi? Diktatura? Aspirant totalitarët?

Ai vazhdoi e foli.

Pastaj skenat me radhë. Për çdo 6 momente teatër që kapërdimë 1.5 ishin ndërrim skene nga ca ca të rinj me streçe të zeza që i mbulonin kokë e këmbë dhe përhapeshin me lëvizje insektuale dhe koreografi, kur shtynin objektet skenike dhe dy si mure të rënda. E hapnin e mbyllnin, pesë skena, gjashtë skena, tetë skena, 12 skena. Dy orë e pak.

Deçka që ishte pak a shumë protagonisti i pjesës, kishte edhe emrin i pari atje majë listës kishte një rol të rehatshëm. Ai ishte intelektual, roli i tij është i një të riu. Ai është 31 vjeç dëshiron të jetojë, por ka marrë sidën dhe po vuan edhe prej një parehatie në pulmone. është edhe vetëkritik, po edhe mondan, ka humor po ka edhe dhimbje.

Ai dhe Çobani bëhen dyshja gazmore e pjesës dhe mbajnë peshë të madhe në jehonën spektatoriale të shfaqjes. Me shkop elegant në dorë, me robdëshambrë. Me të mira. Nuk pati nevojë të puthet fare homoseksualisht madje i vajti edhe një engjëll për tu qirë me të, megjithëse nga një pozicion i largët.

Detyrën e puthjes e patën Vasili dhe Shehu. Këta jo vetëm u puthën por u angazhuan në një tërheqje e homoseksualitet praktikant të vazhdueshëm. A janë ata vallë karakteri emancipues i shfaqjes? Nuk ma merr mendja, por nuk duhet përjashtuar.

Megjithëse me prani të madhe në skenë e angazhim, ata pak u skicuan si personazhe. Ne pak kuptuam qëndrimet e tyre politike e profesionale, megjithëse ata ishin pjesë e rrëfimit të ngjarjes dhe u deklaruan prej tyre.Me tone të larta duke tërhequr gjithë vëmendjen tek aktrimi në skenë e pak në përmasat e shumta të zhvillimeve sociale të tjera që u shpallën.

Helidon Fino tek Kohn krijon një gojëprishur pak të shkarë, që u bë i njohur për dialogët ndërofenduese me këtë infermierin gej, që i rrinte pranë edhe protagonistit e ishte zezak, e gjithashtu me goxha gejllik gojëprishur e serbes. Mburrja e tij për pushtet mund të ishte edhe një halucinacion. Hakërrimi i tij një delir. Bërja publike e homoseksualitetit të tij dukej se nuk e shqetësonte fort. Fjalët e tij janë nëpër jerm dëshpërimi të braktisjes së jetës. Flet me fantazmën, shumë fjalë e pak qetësi. Me shumë gjestikulacion. Gati një pantomimë ishte e përfshirë në veprimin e tij.

Indrit Çobani ishte ndër ata që më së shumti i krijoi dëfrim spektatorit. Batutat e tij, përdorimi i fjalorit të pacensuruar, gjestikulacioni që e shpallte një ngatërresë të dukshme hormonale në seksualitetin e tij, e bënë gati qendror.

Tani, për aktrimin e tillë ç’të thuash? Ata të gjithë janë profesionistë të mirë. Edhe Deçka ka shkathtësinë e duhur edhe Fino ka nerv edhe Xhuvani me kontrollin e plotë në zë e prani të saj. Të gjithë. Engjëlli i ndritur prej materiali të fortë rrethuar në drita dhe Engjëllja me shqiponjë brenda dhe Luli Bitrin. Të gjithë.

Emocionet janë të qarta e të rënda. Por, pastaj, kontekstet e tyre jetësore janë kaq të pakta.

Një sëmundje që ekspozoi për orientimin e tyre seksual kaq e aq njerëz e pastaj kishte nevojë për përkujdesje, për shërim. Një lëvizje lindi pastaj për të drejtat e njerëzve me orientim seksual të ndryshëm nga masa e kanoni. U adresua problematika e homoseksualitetit, që prej kohësh të vjetra, i vjen rrotull njerëzisë. Shumë jetë deformohen nga influenca të tij dhe të tjerë tmerrohen nga një përhapje.

Megjithëse bëhet fjalë për një zhvillim kaq interesant historik, sa ai i ndryshimit të një qëndrimi tashmë historikisht e religjozisht të një faze të caktuar të zhvillimit ekonomik e urban, në një lokacion kaq pararojë sa ai i Nju Jorkut të viteve 80-të, dhe e ndoqi një ballafaqim ligjor, moral, mediatik, politik, komunitar e etj., ne ndjejmë pak kontekst. Vendi, ora. Jo pa gjë fare, se kuptohej që ishim në spital apo zyrë gjykate, por një kontekst i këtillë.

Edhe pjesa i bëhej pasqyrë shoqërisë për shprehi të vetat e mënyra komunikimi. Një pasqyrë që padyshim i duhet vënë shoqërisë përballë, por kjo është një teknikë thuajse e përgjithshme e këtyre kohëve të aktrimit në skenë.

Secili aktor skalit thellë e fort me emocione të mprehta një faqe të historisë së atij blloku që duhej të ishte kompleks e njerëzor, por edhe si të gjithë pak a shumë. Regjisori ka zgjedhur ngjyrat e forta, zërat e lartë dhe nga gjithë ajo histori mbërrijnë vetëm segmente narrativash në të cilat të formosh një skicë. Aty fjalët humbin disi e bashkë me to edhe kauzat besimet, ambicjet. Ajo që vjen tek ne është një konstelacion karakteristikash të familjarizuese plotësuar me fjalë.

Shfaqjes i mungonte një interesim i sinqertë politik për tematikat dhe shqetësimet e tekstit dhe shprehja e Kumbaros se “kjo pjesë është më e rëndësishmja e teatrit bashkëkohor”, nuk na mjafton për të kuptuar pse ai e ka zgjedhur këtë pjesë. Shfaqja ishte e gjatë, e rëndë, muret lëvizin shpesh. Diçka  e dobësonte përhapjen e tingullit fjalëmbajtës. Por i bollshëm në të mira, aktorë, skenë e bukur, kërcim, me drita të plota mugëtire të brendshme.









Comments are closed.