Ankesat për tenderët në 4 muaj 311 biznese regjistruan kërkesë pranë KPP

Komisioni i Prokurimit Publik ka regjistruar 311 ankesa në katër muajt të këtij viti lidhur me procedura të ndryshme prokurimi të hapura nga autoritete të ndryshme kontraktore. Referuar të dhënave zyrtare në faqen e Komisionit rezulton që muaji me ankesat më të larta deri tani të jetë marsi me plot 145 të tilla ndërkohë që më pas vjen prilli me 103. Në shkurt dhe janar janë regjistruar respektivisht 92 dhe 61 ankesa.

Pavarësisht numrit të konsiderueshëm të ankesave në raport me një vit më parë ka një ulje të dukshme të tyre. Për janar-prill 2018 në KPP u regjistruan 543 ankesa ku rekordin e mbante marsi me 208 të tilla. Marsi në fakt do të ishte edhe muaji me numrin më të lartë të ankesave për të gjithë vitin i pasuar nga shkurti që në 2018 kishte 154 ankesa.

Ajo që vihet re edhe këtë vit është një numër i konsiderueshëm i ankimimeve që bëhen nga shoqëritë e sigurimit fizik pranë institucioneve të cilat edhe pse në një numër më të moderuar këtë vit, sërish kanë ngritur shqetësime për procedurat.

E njëjta tendencë u vërejt edhe gjatë vitit 2018 kur numrin më të madh të ankesave e zunë shoqëritë e sigurimit fizik dhe ato të shoqërimit të vlerave monetare me 614 ankesa nga 1145 në total ose 53.6 % duke shënuar një rritje të vogël krahasuar me 50 % që ka qenë pesha e këtyre ankesave në vitin 2017, por që gjithsesi është një volum i madh ankesash në raport me numrin total.

Pavarësisht se nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik dhe Agjencisë së Prokurimit Publik janë sqaruar në disa udhëzime të njëpasnjëshme detajet që duhet të mbahen parasysh nga autoritetet si dhe janë dhënë rekomandime për të gjitha palët kjo procedurë vijon të mbetet më problematikja./Monitor

 









Comments are closed.