Përleshja te Astiri/ “I hodhën 2 bombola gaz”, protestuesi i PD rëndë në QSUT (VIDEO)

Një nga protestuesit e “Astirit” që u përlesh paraditen e sotme me efektivët e FNSH-së në tentativë për të bllokuar kalimin e kryeministrit Edi Rama te “Unaza e Re” është shtruar në spitalin e Traumës.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë mbi protestuesit e Unazës së Re.





Sipas pretendimeve të ngritura nga PD dy efektivë të FNSH kanë zbrazur 2 bombola me gaz ndaj protestuesit Astrit Sadikaj, deri sa ai ka humbur ndjenjat.

Aktualisht, ai ndodhet në repartin e djegies në QSUT, pasi ka djegie të rënda në kokë, shpatulla dhe këmbë.

Deklarata e plotë nga PD:

Forca të shumta policore ushtruan sot dhunë të pajustifikuar mbi banorët e Unazës së Re, që po protestonin paqësisht kundër pranisë së Edi Ramës në një biznes aty pranë.

Në video është dëshmia tronditëse e protestuesit Astrit Sadikaj, i dhunuar rëndë nga policia me gaz djegës dhe lotsjellës. Astriti është një nga banorët që proteston me muaj të tërë kundër projektit korruptiv të Unazës së Re që prish pa shpërblim shtëpinë e tij dhe të rreth 2 mijë banorëve të tjerë. Astriti tregon se ka shkuar pranë forcave të policisë për të qetësuar situatën, duke i thënë se qëllimi tyre është të protestojnë në paqe dhe të largohen në paqe. Astriti tregon se 3 policë i janë hedhur për ta bllokuar, ndër 2 të tjerë të FNSH i kanë zbrazur 2 bombola me gaz derisa ka humbur ndjenjat.

Aktualisht, ai ndodhet në repartin e djegies në QSUT, pasi ka djegie të rënda në kokë, shpatulla dhe këmbë. Albana Vokshi e vizitoi Astrit Sadikaj në spital dhe i mori dëshminë e dhunës policore.





Comments are closed.