“Astiri” dhe deputetë të PD hyjnë te Komisariati 6 për të liruar Balliun, Paloka: Rama të erdhi fundi! (FOTO)

Pas përleshjeve me policinë te “Unaza e Re”, banorët e “Astirit” ndodhen tashmë në komisariatin nr. 6, ku kanë tentuar të hyjnë brenda ambienteve të forcave të rëndit dhe janë konfrontuar ashpër me policinë.

Ata kanë marshuar rrugës dhe janë zhvendosur për të protestuar aty ku mbahen të ndaluar, disa prej banorëve që FNSH futi në fugon mëngjesin e sotëm së bashku me deputetin e PD, Klevis Balliu.





Gjithsej janë të ndaluar 8 persona, ndër të cilët: Gazmed Koka, Florjan Protoduari, Arben Qyrani, Klevis Balliu dhe Muharrem Rexha. Banorët kërkojnë lirimin e të gjithë të ndaluarve.

Në vendngjarje ndodhet edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili pas uljes së gjakrave u ka kërkuar efektivëve që të hyjë ai në komisariat në emër të banorëve të “Unazës së Re”.

Ndërkohë nënkryetari i PD-së ka folur për mediat nga komisariati duke akuzuar policinë dhe qeverinë për dhunë. Sipas tij aktet e terrorit të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj vetëm sa rrisin revoltën te qytetarët për t’ia afruar fundin Edi Ramës.

“Kanë marrë burra, gra  dhe fëmijë i kanë përplasur në fugonin e policisë. Këta nuk ndalen më para asgjëje. Siç e dini i shoqëruar është edhe deputeti Klevis Balliu. Është tani i mbyllur në komisariat, pasi doli edhe njëherë si përditë në mbrojtje të banorëve që mbrojnë strehën e fëmijëve të tyre. Të jetë i bindur Rama se do marri përgjigjen e merituar. Sa më shumë ta shtojë dhunën e agresionin aq më ashpër do ti përgjigjemi. Ta dijë mirë se asnjë nga të arrestuarit nuk trembet, por kështu i afron fundin vetes”, tha Paloka.





Comments are closed.