Aulona Folk Festival, folk evropian dhe turizëm e mikpritje shqiptare

Drejtor  i përgjithshëm, Sejmen Gjokoli

Moderatore e ketij viti, Najada Elmazi

Aulona Folk Festival zhvillohet për të 11-tin vit,  në Vlorë.  Festivali është kthyer në  shenjues të trashëgimisë kombëtare, ndërsa shperfaq identitetin, traditën dhe trashëgiminë kulturore të grupeve pjesëmarrëse anembane botës. Nëpërmjet muzikës folklorike sillen në vëmendje dhe ndjesi vlerat që burojnë nga arti i popullit, që për hir të lashtësisë ka mbetur i paemër, përjetim që vjen së largu nga brezat e shkuar.

Emri Aulona vjen nga emri antik i qytetit të Vlorës. Ndërkohë, Aulona Folk Festival merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshëm, kuptohet edhe në formën e spektaklit.

Vetëm për shkak të këtij aktiviteti kanë mbërritur në qytetin bregdetar të Vlorës mbi 85 ansamble folklorike, me rreth 3500 pjesëmarrës, nga 25 vende, përfshirë Ballkanin, Evropën e Azinë. Festivali i Aulonës, i cili vjen si aktivitet i një shoqate, realizohet me donacione apo edhe taksa që detyrimisht duhet të kthehen në produkte shpirtërore, pikërisht për taksapaguesit. Pikërisht këtu fillon edhe përgjegjësia e organizatorëve, këtu ndodh edhe dallimi.

Jo pak herë është konstatuar se kjo ndjesi nuk ekziston në mjaft institucione kulturore. Institucione  të cilët kanë detyrim të menaxhojnë veprimtari me bazë trashëgiminë tonë shpirtërore, ku edhe pse kanë në krah fonde shtetërorë, apo edhe pse vetë paguhen për t’i bërë sa më mirë këto punë mungon përgjegjësia e organizatorëve.

Të mos harrojmë, festivalistët që vijnë në gjirin e Aulonës, janë njëherësh edhe turistë por edhe eksplorues të kujdesshëm të aseteve tona kulturore, historike e turistike. Gjeografia e shteteve pjesëmarrëse mbetet përherë në kujdes të organizatorëve. Operohet me përzgjedhje grupesh por edhe shtetesh, duke pasur për çdo vit risinë e vet. Mbase duket e pabesueshme, por mbi tetëdhjetë e pesë ansamble që kanë marrë pjesë gjatë gjithë historisë së festivalit, vetëm dy kanë mundur të jenë dy herë në Vlorë. Në këtë edicion, për herë të parë, mes flamujve dekorues të skenës do të zenë vend edhe ay i grupit nga Anglia e Finlanda, madje me kërkesën e tyre për pjesëmarrje.

Po këtë vit, festivali do të ketë edhe një tjetër risi që mëton të kthehet në traditë. Duke diskutuar me koreografin e Ansamblit të këngëve e valleve popullore, Genc Kastrati, rreth disa përvojave ndërkombëtare, vendosëm që për herë të parë të krijojmë brenda festivalit një seminar për mësimin e valleve popullore shqiptare për turistët e huaj, të ardhur enkas për këtë ngjarje – si dhe shkëmbimin kulturor mes pjesëmarrësve, duke i dhënë festivalit edhe përmasën interaktive ku spektatori bëhet pjesë e skenës. E thënë ndryshe, një farë workshop-i folku.

Kësisoj, miqtë e huaj, gjatë ditëve të festivalit, do të shijojnë bukuritë e aktivitetit dhe qytetit, por do të mësojnë të vallëzojnë me motivet tona kombëtare, e që në mbrëmjen e dytë koncertore do të performojnë në skenë një nga vallet e mësuara.

Aulona festival bëhet edhe i pari festival i këtij lloji në Shqipëri i cili synon të përfshijë spektatorin në skenë e të kthehet në një tërheqje turistike më vete për vizitorët. Vlen të theksohet se do të jetë një grup turistësh nga SHBA, të cilët do të udhëtojnë enkas në Vlorë për turizëm dhe festival.

Ky edicion ka edhe aspektin e agjendës turistike. Rexhina Grup, një nga operatorët më të rëndësishëm në Vlorë për festivalin, për të parën herë do të vendosë në dispozicion një nga anijet e veta turistike me qëllim që pjesëmarrësit të vizitojnë plazhet e Karaborunit.

Sikundër resorti turistik “Bojo” do t’i presë një ditë më pas në Radhimë.

 









Comments are closed.