Fundi i keq i Sali Berishës

Nga Baton HAXHIU

Me Sali Berishën e kam vetëm një problem.

Jo mbi ato që i thotë për mua dhe Kosovën, por për faktin pse atij ende i duhet Kosova – dhe unë.

Jemi në një kohë kur datat historike kanë arritur me kaq pabesi ta grabisin jetën e gjithsecilit, pa pasur ata asnjë faj e asnjë detyrim dhe pa pasur guxim që dikush të reagojë për ta thënë të vërtetën.

Në dekadat e fundit me dhjetëra herë jemi ulur bashkë në tavolinë. Do të doja që asgjë nga bisedat tona kurrë të mos dilte jashtë. Është ky një kod civil që njeriu e mban për shkak të dinjitetit.

Sali Berisha është nga ato personazhe që kur rri me të në tavolinë duket i kujdesshëm, kurse kur e sheh në publik ka natyrë rrugaçi që flet me gjuhë  krimineli.

Është i vetmi prind që e njoh – jashtë skenarëve të filmave për mafinë – që ka zhvilluar aktivitet kriminal në bashkëpunim me fëmijët e tij.

Prandaj, duke e ditur mëkatin e tij si prind, atij edhe fëmijët e të tjerëve i duhen me patjetër të jenë kriminelë.

Figura e tij bipolare me shenja skizofrenie është karakteristike për të, sepse tjetër flet me ty kur të takon dhe tjera fjalë përdor në diskursin publik. Thjesht, është një i pabesë.

Nëse e shpjegon me gjuhën e mafisë, ai duket se është një padrino, që kur bisedon me të e lë përshtypjen e një njeriu që nuk i prek as mizat, por kur del jashtë bën kërdinë edhe me gjuhën prej dashakeqi, edhe më sjelljen ndaj gjithçkaje që i duket se nuk i ngjan natyrës së tij. Thjesht, është një burrë i keq.

Në këtë aspekt, është e pamundur ta kuptosh plotësisht ekzistencën e Sali Berishës pa i analizuar disa data dhe fakte. Ta kuptosh se ku fillon ndërlidhja e tij me figurat që janë kriminale dhe kur nis kjo mënyrë e jetës si prind që i shtyn fëmijët në të panjohurën e krimit.

Nuk do të kisha reaguar për një babaxhan që s’ka as fytyrë dhe as skrupuj sikur ai të mos i jepte intervistë një gazete të vdekur, të udhëhequr nga një njeri që jeton më tatuazhin “JNA” në dorë, të një ushtrie të vdekur (Jugoslovenska Narodna Armija – Ushtria Popullore e Jugosllavisë), që iu përket atyre njerëzve të cilët kanë pasur kujtime të mira për shtetin jugosllav (serb) dhe ushtrinë që ka shkatërruar gjithçka në Kosovë. Gazeta e këtij “Njeriu me Tatuazh” ku flet Berisha është Bota Sot, ndërsa tatuazhi i institucioni famëkeq jugosllav është në trupin e njeriut që quhet Xhevdet Mazrekaj.

Pyetja është e thjeshtë: si është e mundur që ky njeri të ketë kaq shumë lidhje me të keqen?

Çfarë e bën një politikan të lidhur me krimin dhe kriminalitetin dhe ç’është ajo që e bën një prind të kriminalizojë gjithçka, përfshirë edhe fëmijët e tij?

Dhe pyes: pse ky njeri ka aq afsh për të ndërtuar fjali kriminale dhe të flasë me pasion krimineli?

Për faktin që është plakur, po ikën biologjikisht, apo sepse e ka mënyrë të jetës, kurse ofendimin dhe gënjeshtrën e ka kod të sjelljes?

Kur e analizoj Sali Berishën, nga gjithë jeta e tij më del se asnjëherë s’ka qenë ndryshe. Prandaj as tash, kur ka një vjet që ka filluar të merret me mua duke ma dhënë peshën e gjithçkaje që ndodh për shqiptarët në Ballkan.

Ai i ka shtuar në retorikën e tij banale etiketimet e tipit stalinist ndaj meje si gazetar, duke më shndërruar nga një publicist shqiptar nga Kosova në një Superinterlokutor ndërkombëtar agjenturash, masonësh dhe kancelarish, që vendos për fatin e kombit.

Kjo e pavërtetë nuk është aq fyerje për mua dhe familjen time, siç mendon Berisha, sa është fyerje për një Kosovë të tërë, bashkë me Shqipërinë, BE-në dhe SHBA-të, duke i kthyer të gjithë pa përjashtim në vasalë të mi të dëgjueshëm.

Për shkak të këtij problemi moral dhe mënyrës se si ai po e fyen Kosovën dhe miqtë e saj në botë duke përdorur emrin tim, dua t’ia them disa gjëra përse më duhet mua Kosova dhe Sali Berisha, dhe përse Sali Berishës i duhet Kosova dhe Baton Haxhiu.

Mua Kosova më duhet si atdheu im, si toka ime, si dheu i atit dhe ëmës, i fëmijëve të mi. Nuk dua të bëj hartim për atdheun në këtë moshë, por Kosova është fati im dhe i çdo qytetari të saj, fat të cilin në shumë raste e kemi bërë vet.

Pra, ne nuk ekzistojmë pa të.

Çfarë është për mua Sali Berisha?

Në fillim të viteve ‘90, ishte një emër që në Kosovë filloi të na rilidhte më fort me Shqipërinë, si pjesë e gjakut tonë matanë kufirit. Me rënien e komunizmit, për herë të parë e kishim mundësinë ta preknim tokën mëmë.

Por, Sali Berisha nuk ishte Shqipëria. Në projektin e tij kriminal politik, Kosova për të ka qenë gjithmonë gur rezervë për të tentuar mbulimin e krimeve.

Në projektin e tij për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë në fillim të viteve ‘90, ai e orientoi Shqipërinë drejt biznesit joformal, kontrabandës dhe firmave piramidale, me qëllim që ta kontrollonte klasën e re kriminale të biznesit të paligjshëm. Trafiku i karburanteve dhe mallrave me ish-Jugosllavinë nën embargo u krye tërësisht nën sytë dhe kontrollin e tij, për njerëzit e tij dhe bile zyrtarisht edhe nga njerëz të partisë së tij.

Kosova ishte “Asi nën mëngë”, që ai e sakrifikonte për ta avancuar projektin e tij në krijimin e një klase joformale të biznesit në shërbim të tij.

Sali Berishën e ka trembur qysh në fillim ekonomia e lirë, tregu i lirë dhe biznesi i ligjshëm. Dukeshin jashtë kontrollit të tij. Ndaj atij i interesonte më shumë një lob biznesesh që bëheshin milionerë nga kontrabanda, çelësin e së cilit e kishte ai në dorë dhe kompani piramidale nën kontrollin e tij që ia financonin pushtetin.

Kur ky pushtet ra dhe nuk mbante dot në këmbë as Sali Berishën, as Shqipërinë, ai i ktheu sytë nga Kosova, si ata grabitësit e bankave që në momentin e fundit marrin peng një qytetar dhe thonë: “Po më prekët, e vrava!”.

Kështu u soll Sali Berisha në vitet 1996-1997 me Kosovën. Sulmoi Ibrahim Rugovën dhe afroi Adem Demaçin, me shpresë se do ta ndizte luftën në Kosovë dhe bota nuk do të merrej me të, por me Kosovën.

Fatmirësisht, Ibrahim Rugova ishte më racional dhe më i qartë se ai e shumë të tjerë, prandaj kjo aventurë u shmang.

Sali Berisha përfundoi në koshin e historisë.

Përpjekjet e tij për t’u rifaktorizuar duke u kapur pas Ibrahim Rugovës me mbarimin e luftës nuk funksionuan, pasi Rugova nuk e priti kurrë në Kosovë.

Ky ishte një leksion i hidhur për të dhe gjithë ata që kanë dashur ta përdornin Kosovën për llogari të tyre.

Në një moment të jetës sime, në vitin 2005, pata një iluzion se ndëshkimi që iu bë Sali Berishës dhe izolimi i tij tetëvjeçar ishin një periudhë e fortë reflektimi dhe një shans i ri që ai të përdorej në një betejë kundër korrupsionit, pas papërgjegjësisë me të cilën Fatos Nano la të lulëzonte krimi, korrupsioni i administratës dhe monopolet e ministrave të tij.

Ky është një ndër iluzionet më të hidhura të jetës sime.

Rikthimi i Sali Berishës pas një parade të demonstrimit të forcës përqendroi pushtetin tek familja e tij, e cila u vu në krye të pushtetit gjyqësor, financiar dhe politik.

I ashtuquajturi “Kop”, të cilit i kam bërë edhe spotin e fushatës, ishte furgoni i shokëve dhe shoqeve të vajzës dhe dhëndrit të tij, me punë në Kosovë, ministrat kukulla të fëmijëve të tij, dhe bizneseve në rresht për të paguar për ta.

Projekti i dytë i kriminalizimit të ekonomisë nga Berisha më nuk ishte joformaliteti, por kapja e shtetit përmes bizneseve të mëdha.

Në 2013, shqiptarët e ndëshkuan në mënyrë shembullore një qeverisje e cila u shqua jo vetëm për korrupsion, por edhe për vrasje politike, vjedhje spektakulare votash, si në rastin e Lulzim Bashës në Tiranë, si dhe mosndëshkueshmëri për afera të provuara nga prokuroria, si ajo e Gërdecit.

Mendoja se Sali Berisha do të ishte i lirë të ikte në shtëpi. Por, ai nuk ishte i lirë.

Fëmijët e tij të pamëshirshëm dhe mafia që kapi shtetin përmes tij, e duan në rrugë, e duan të gjallë dhe të mjeruar derisa t’i mbylli sytë.

Tash po iu tregoj përse Sali Berishës i duhet Kosova.

I duhet për hallet e veta.

Në vitin 1992 i duhej të dukej patriot.

Në vitin 1996 i duhej ta shpëtonte rrënimin e tij nga pushteti.

Në vitin 1997 i duhej ta përdorte kundër rebelëve që rrëmbyen armët kundër tij.

Në vitin 1999 i duhej ta përmendte që të dilte nga izolimi i egër ndërkombëtar. Dhe bëhej interesant, herë duke e sulmuar Rambujenë, herë duke e sulmuar UÇK-në, e herë duke e mbrojtur Ibrahim Rugovën, i cili nuk ia hapte as telefonin.

Në vitin 2000 i duhej të dilte një herë jashtë shtetit. Shkoi deri në Kukës, por s’doli dot.

Në vitin 2006, pas vdekjes së Rugovës, i duhej të tregonte se e kishte mik, duke e pasur armik.

Në vitin 2009 i duhej t’i mbulonte problemet e zgjedhjeve në Shqipëri duke folur për albanofobi.

Në 2011 i duhej ta zbuste qëndrimin ndërkombëtar të egër ndaj tij pas vrasjeve të 21 Janarit dhe vjedhjes së Tiranës, duke e shitur dosjen e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt si njerëz që kishin vrarë dëshmitarë dhe kanosur drejtësinë. (Mund ta kujtojmë draftin “Haradinaj dhe Limaj” të vitit 2003 që dhëndri i tij e kishte dërguar jashtëligjshëm nga zyra e kryeprokurorit Williamson. E kisha bërë të kundërtën me një prononcim publik timin kundër këtij fakti, vetëm që të mos pasonin akuza për tradhti ndaj Lulzim Bashës).

Në vitin 2012 i duhej ta justifikonte dështimin e marrjes së statusit si vend kandidat për BE.

Sot, më 2019, ky njeri që nuk rresht së përdoruri Kosovën për hesap të vet. Kosova i duhet sërish për ta maskuar prishjen e tij me Perëndimin, SHBA-të dhe Bashkimin Europian.

I duhet për t’u hakmarrë ndaj atyre që i kanë hequr vizën jo vetëm familjarisht, por dhe si politikan, duke e çuar në udhë për t’ia dorëzuar drejtësisë.

Sot Kosova i duhet jo për t’i mbrojtur kufijtë e saj nga Baton Haxhiu, sepse Baton Haxhiu mund të flasë vetëm për shtëpinë e tij, por për ta ruajtur kokën e vet nga drejtësia në Shqipëri, nga drejtësia e monitoruar nga SHBA-të dhe BE-ja, që e shikojnë Sali Berishën si problem real të Shqipërisë. Dhe ai sërish e ka kapur peng Kosovën, si ata pengmarrësit në një grabitje, dhe ulërit se “po e vrisni Kosovën, po e copëtoni atë, duke më vrarë mua”.

Në fakt, e ndjen që është ulërima e çdo pengmarrësi që ndërsa dëshiron ta shpëtojë kokën, qan për pengun e tij.

Krejt në fund, Njeriu Sali Berisha nuk e ka humbur vetëm veten e tij. E ka humbur edhe atdheun. Ai s’po e kupton që po ikën pa pasur asnjë fije shprese se mund të kthehet. Njeriu që e themeloi Partinë Demokratike, tash në atdheun që s’e do, po e shkatërron atë që e kishte krijuar dikur.

Kështu e do edhe Kosovën. Të shkatërruar dhe pa të ardhme.

Nuk e kupton që ajo nuk merret dot në botën tjetër, sepse iu takon të gjallëve.

Jo Sali Berishës.









Comments are closed.