“Bindja” e Patozit/ Grida s’ka koment, Salianji tallet: Donin të rrëzonin Berishën, me 700 vota në gjithë Shqipërinë!

Pas Lulzim Bashës që e kërcënoi indirekt duke i kujtuar se “nuk do të ketë opozitë fasadë dhe zgjedhje farsë” më 30 qershor, edhe emra të tjerë të njohur të PD kanë reaguar për krijimin e “Bindjes Demokratike” nga Astrit Patozi.

Në një prononcim për A2CNN ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma thotë se nuk ia vlen t’i bësh asnjë koment për forcën e re politike që i është shtuar opozitës, ndërsa kolegu i saj Ervin Salianji nuk e ka kursyer ironinë për Patozin.

“Nuk kam asnjë koment për partinë e Patozit. Është vendimi i tyre, por besoj se nuk ia vlen t’i bësh asnjë koment”, shprehet Duma.

Por, Salianji thotë se lëvizja e Patozit nuk ishte surprizë, sepse sipas tij, ish-nënkryetari i PD dhe anëtarë të Bordit të Bindjes Demokratike, kanë punuar që në 2013 kundër Partisë Demokratike, madje për të rrëzuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Në fakt, që prej 2013-ës, një pjesë e themeluesve të PD-së, bordi, apo çfarë quhen ata, kanë punuar kundër PD-së. Kanë shpresuar dhe punuar se duke rrëzuar Berishën do ti merrnin partinë. Për inat të Bashës votonin për Ramën dhe pa diskutim që për aq vota sa mund të kenë 700-800 në të gjithë Shqipërinë, do të jenë vota që i ikin Edi Ramës”, shprehet Salianji.

Ndërkohë, Jorida Tabaku nuk e sheh vlerë të shtuar në skenën politike partinë e re të Patozit.

“Besoj se ka mjaftueshëm informacion, ka mjaftueshëm parti, ka mjaftueshëm, ide, njerëz, për ta lënë të vetëm Edi Ramën. Kush mendon dhe përpiqet që të kalojë situatën, unë mendoj se nuk i shërben të mirës publike”, thotë Tabaku.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka ripërsëritur qëndrimin e shprehur nga kryetari Basha. “Ka një qëndrim të kryetarit Basha, të cilin unë e mbështes”, ka thënë ai.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.