Shtatë fake-news për Vetting-un e drejtësisë në Shqipëri!

Nga Entela BARJAMAJ

Procesi i Vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, i konsideruar si operacioni më unik në Evropë dhe rrjedhimisht më i rëndësishmi në historinë e Shqipërisë postdiktatoriale, është rrethuar dhe karakterizuar nga disa Fake News.





Lajmet e rreme apo gjysmë të rreme janë prodhuar kryesisht nga mungesa e njohjes së procesit, por edhe qëllimisht nga segmente të caktuara interesash. Duke mos njohur detaje të mekanizimit të Vetingut, shpeshherë janë prodhuar lajme të pasakta, të cilat duke u deformuar sa në një portal në tjetrin, kanë krijuar perceptime të pabaza.

Së dyti, meqenëse objekti i vetëm i Vetingut është goditja e korporatës në drejtësi, segmente të kësaj korporate, të lidhura me segmente të politikës, kanë sajuar herë pas herë lajme të rreme, me qëllimin baltosjen e Vetingut dhe zbehjen e besimit rreth tij.

Fake News nr. 1: Dështon Vetingu, nuk sekuestron pasuritë e paligjshme

Herë pas here, janë përhapur lajme ‘indinjuese’, duke thekuar se Vetingu nuk po sekuestron pasuritë e paligjshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve të caktuar, duke u mjaftuar vetëm me shkarkimin e tyre nga detyra. E vërteta është se Komisionet e Vetingut nuk kanë asnjë tagër ligjor të sekuestrojnë pasuri. Qëllimi fundor i tyre është vetëm identifikimin dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve që posedojnë pasuri të paligjshme, që kanë lidhje me krimin dhe që janë të paaftë profesionalisht. Vetingu nuk kryen asnjë funksion me natyrë penale.

Por, faktet e zbuluara nga Vetingu, mund të shërbejnë për prokurorinë për të hapur procese penale.

Fake News nr. 2: Vetingu po heton vetëm mbi pasuritë, duke anashkaluar aspektin profesional dhe figurën

Çdo gjyqtar apo prokuror që konfirmohet në detyrë, kalon përmes tre sitave të rivlerësimit, për ligjshmërinë e pasurive, kontrollin e figurës dhe aftësitë profesionale. Nga ana tjetër, gjatë hetimit të thelluar, kur konstatohen se një subjekt ka pasuri të paligjshme dhe ky element mjafton për ta shkarkuar nga detyra, Komisioni i Vetingut nuk vijon gjithnjë hetimin për aftësitë profesionale dhe kontrollin e figurës, pasi çdo konstatim në dy aspektet e tjera nuk e ndryshon vendimin e shkarkimit. Pra, nëse një subjekt ka fshehur pasurinë në atë masë sa për t’u larguar nga detyra, vlerësimi në dy shtyllat e tjera është thjeshtë humbje kohe dhe pa asnjë vlerë juridike.

Nëse një subjekt kalon testin profesional, ndaj tij nis në çdo rast vlerësimi për figurën dhe aftësitë profesionale. Edhe në ligjin e Vetingut, kontrolli i pasurisë qëllimisht ka rëndësi themelore, ndërsa më pas vjen kontrolli i figurës dhe në fund aftësitë profesionale. Për këtë arsye është parashikuar se kur një subjekt kalon filtrin e pasurisë dhe figurës, por mbetet në testin profesional, subjekti mund t’i nënshtrohet një trajnimi dhe të rikthehet në gjyqësor.

Fake News nr.3: Adriatik Llalla i shpëton Vetingut

E kundërta është e vërtetë. Vetingu ka kursyer kohë dhe burime njerëzore me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë, që kanë dhënë dorëheqjen. Qëllimi final i Vetingut është largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të papërshtatshëm nga sistemi. Kur një prokuror apo gjyqtar jep dorëheqjen, ky synim është arritur. Ky arsyetim reflektohet edhe në vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimet e të cilit kanë formë të prerë. Nuk ka asnjë sens logjik dhe juridik që Vetingu të vazhdojë ndaj një subjekti që është larguar nga sistemi.

Fake News nr.4: Ardian Dvorani kalon megjithëse nuk justifikon pasurinë

Është një lajm krejtësisht i rremë. E vërteta qëndron se anëtari i Gjykatës së Lartë nuk kishte deklaruar një pjesë të pasurisë në deklaratën përfundimtare për Vetingun. Por, këto pasuri, gjyqtari e kishte të deklaruar dhe të justifikuar me të ardhura të ligjshme në të gjitha deklaratat vjetore të dorëzuara në ILDKPKI. Nëse Dvorani do të deklaronte pasuri në deklaratën për Vetingun, të cilën nuk do a kishte deklaruar më parë, ai do të shkarkohet. Por, ka ndodhur e kundërta. Kjo është edhe arsyeja se pse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik nuk ankimuan vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Dvoranit.

Fake News nr. 5: Burrit i ka vdekur punëdhënësi, Antoneta Sevdari shkarkohet nga detyra

Është një lajm gjysmë i vërtetë. Mungesa e justifikimit të 12 mijë euro nga bashkëshorti, i cili nuk dispononte kontratë punësimi në vitin 2003, është vetëm një element që ka ndikuar në shkarkimin e prokurores. Bashkëshorti i saj ka deklaruar edhe shumën 18.970 USD nga punësimi, pas paraqitur asnjë dokument provues. Megjithatë, prokurorja Sevdari është shkarkuar edhe për mangësitë e vërejtura nga hetimi administrativ i KPA për vlerësimin e aftësive profesionale lidhur me denoncimet nga publiku. Prokuroja ka humbur të drejtën e ushtrimit të ankimit brenda afateve ligjore për një vendim gjykata, megjithëse ka qenë prezent në dhënien e vendimit. Prokuroja ka pohuar se ishte arsye njerëzore, por sipas KPA ka krijuar dyshime mbi aftësitë e saj profesionale.

Fake News nr. 6: Vetingu me dy standarde

Kur një gjyqtar apo prokuror me pasuri të dyshimtë, konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ai mund të vazhdojë detyrën, por nuk do të thotë se ka kaluar Vetingun. Pas vendimit të komisionit të parë, për subjektet që krijohen dyshime, nis një proces tjetër. Është Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili rekomandon që vendimi për një subjekt të caktuar të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ankimimin e bën Komisioneri Publik, i cili është ngritur posaçërisht për këtë çështje, për ta bërë Vetingun të pathyeshëm.

Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm shkarkimin nga detyra të një gjyqtari që kaluar Vetingun në shkallën e parë, edhe pa rekomandimin e ONM. Deri më sot ONM ka bërë 7 rekomandime për shkarkim të subjekteve që kanë kaluar Vetingun në shkallën e parë. Komisioneri Publik ka bërë mbi 30 apelime për shkarkim gjyqtarësh dhe prokurorësh, që kanë kaluar Vetingun. Kolegjit i Posaçëm ka pranuar dy ankimime të ONM dhe Komisionerit, ndërsa mbi 90 % të ankesave nuk janë shqyrtuar ende.

Fake News nr. 7: Kandidatët e Vetingut habisin jurinë me përgjigjet e tyre, s`njohin

Falconen e Borselinon

Është një lajm krejtësisht i rremë. Gjatë procesi të zgjedhjes së kandidatëve nga trupa endemike e drejtësisë për dy vende vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, disa prej tyre nuk i njihnin Falconen e Borselinon, dy heronjtë e drejtësisë italiane që u ekzekutuan nga mafia. Por, ky proces nuk kishte asnjë lidhje me Vetingun. KLGJ dhe KLP janë dy organet më të rëndësishme të drejtësisë së re, por nuk kanë lidhje me Vetingun. Së dyti, KLGJ dhe KLP përbëhen nga 11 anëtarë, pra 22 në total. Nga trupa akademike janë zgjedhur një

1 anëtar në KLGJ dhe një në KLP. Pesha e tyre është e papërfillshme dhe nuk kanë asnjë ndikim Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.





Comments are closed.