Interi dhe Roma bëjnë “paqe” – mbetet e nxehtë gara për zonën Champions

Beteja për titullin kampion ka përfunduar 5 javë para se të mbyllet kampionati, por Seria A vijon të ofrojë një sfidë mjaft interesante për dy vende në zonën Champions, ku luftojnë jo pak, por 6 skuadra.

Kjo pasi Interi, pas barazimit të dy javëve më parë me Atalantën në “San Siro”, humbi një tjetër “match point” për t’u shkëputur, pasi nuk shkoi më shumë se një tjetër barazim 1-1 edhe përballë Romës, gjithashtu rival direkt për zonën Champions.

Në “San Siro”, Spalletti kishte vendosur të lërë në stoli Icardin dhe të hedhë nga minuta e parë argjentinasin tjetër, Lautaro Martinez, ndërsa pjesa e parë ishte e balancuar në lojë, por u mbyll me avantazhin e Romës, pas një goli spektakolar të shënuar nga El Sharawi nga distanca.

45-minutëshi i dytë foli tërësisht për skuadrën zikaltër, që spostoi lojën në gjysmëfushën e Romës, ndërsa Spalletti shtoi forcat në sulm, duke hedhur në fushë edhe Icardin, në vendin e Radja Nainggolan.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 61-të, kur Danilo D’Ambrosio dha një kros perfekt me të majtën në shtyllën e dytë dhe aty Perisiç përfitoi që mbrojtja e Romës ishte e zënë me Icardin, për të gjuajtur me kokë dhe mposhtur portierin Mirante.

Në minutat në vijim ishte sërish Interi që dominoi lojën, duke i shkuar disa herë pranë golit, ndërsa Roma u mbrojt me forca të shumta dhe kërcënoi në 2-3 raste me anë të kundërsulmeve të shpejta.

Në fund të dy skuadrat u detyruan të pranojnë nga një pikë, ku natyrisht që më të kënaqur janë zikaltrit e Spallettit, që ruajnë diferencën nga ndjekësit, ndërsa Roma do të duhet të vuajë ende shumë, për t’ia dalë të shkojë në Champions.









Comments are closed.